Policia e Korçës vijon operacionin e koduar “Perimetri”, duke arrestuar një tjetër person, që është kapur duke transportuar 4 emigrantë të paligjshëm.

Në pranga ka rënë 26-vjeçari nga Kavaja, pasi në aksin rrugor Korçë-Pogradec është kapur duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Alfa Romeo”, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Njoftimi i policisë:

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore, në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit K. H., 26 vjeç, banues në Kavajë.

Ky shtetas është konstatuar nga shërbimet e Policisë Rrugore, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Vashtmi, Maliq, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Alfa Romeo”, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb