Deputetja Vasilika Hysi, që është njëherësh edhe nënkryetare e Parlamentit, teksa sqaroi arsyet e largimit të saj nga PS, i bëri dhe një thirrje të fortë opozitës.

E ftuar në rubrikën “Opinion”, në News24, deputetja Hysi i kërkoi opozitës të mos e sulmojë Reformën në Drejtësi, pasi sipas saj, kjo reformë është ëndrra e çdo shqiptari.

“Zgjedhjet e 25 prillit janë shumë të rëndësishme për të vijuar dhe parë rezultatet e reformës në drejtësi dhe shumë reformave të tjera. Një thirrje për të gjithë kolegët në opozitë dhe që luftojnë për të ardhur në pushtet, nuk duhet të merren me reformën në drejtësi, po dolën me tezën për ta zhbërë, janë të humbur. Të humbur ishin edhe pa e përmendur këtë, por duke e përmendur janë të humbur jo për këtë mandat, por dhe shumë mandate të tjera”, tha Hysi.

Më tej, deputetja tregoi edhe me çfarë do të merret në vazhdim, pas largimit nga PS pas 12 vitesh angazhim, ku tha se do vijojë të merret me mësimdhënien.

“Nuk e kam menduar fare. 12 vite ishin një angazhim shumë i madh, madje për disa ishte dhe surprizë. E kam diskutuar këtë vendimmarrje vetëm me vajzat dhe bashkëshortin. Do ta mendoj. Unë karrierën e kam nisur në mësimdhënie, ajo është adrenalina ime dhe mendoj se do të jetë mësimdhënia”, u shpreh ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb