Një grup i madh turistësh nga Britania e Madhe, SHBA, Spanja, Franca dhe Zvicra thuhet se po mbahen peng nga një grup indigjen në Peru pasi u kapën gjatë një udhëtimi me varka në një degë të lumit Marañón.

Grupi, që mendohet të jetë një komunitet indigjen, tha se i kishte ndaluar turistët në shenjë proteste për mungesën e veprimeve të qeverisë për të trajtuar derdhjet e naftës në lumë, sipas RPP Noticias.

Mes tyre ka një foshnjë një muajshe, persona me aftësi të kufizuara dhe gra shtatzëna, ndërsa mësohet se një nga të huajt ka ngritur alarmin në rrjetet sociale për ndalimin e tyre.

“Sa më shpejt të dëgjohen, aq më shpejt do të na lënë të shkojmë. Më ndihmoni të shpërndajmë, jemi mirë fizikisht. Më ndihmoni t’i ndihmoj të dëgjohen”, ka shkruar ajo në Facebook.

“Ne duam të tërheqim vëmendjen e qeverisë me këtë veprim, ka të huaj dhe peruan, janë rreth 70 njerëz,” tha Watson Trujillo, udhëheqësi i komunitetit Cuninico, për radion RPP.

Trujillo tha se grupi i tij kishte marrë “masën radikale” në një përpjekje për të ushtruar presion ndaj qeverisë për të dërguar një delegacion për të vlerësuar dëmin mjedisor nga derdhja e 2,500 tonë naftë bruto në lumin Cuninico më 16 shtator.

Sakaq, të arrestuarit do ta kalonin natën brenda anijes ndërsa prisnin një zgjidhje për situatën, shtoi ai, ndërsa tha se do të kthehej në varkë të premten për të shqyrtuar nëse do t’i lironte ata.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb