Policia e Beratit vijon kontrollin e territorit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike.

Gjatë një aksioni të fundit, policia ka evidentuar dhe goditur dy raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, duke arrestuar autorin e dyshuar dhe proceduar penalisht kryetarin e një fshatin dhe Inspektorin e Shërbimit Pyjor.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Policisë së DVP Berat, në bazë të informacioneve të siguruara si dhe në vijim të kontrollit të territorit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, kanë evidentuar në fshatin Vërzhezhë, Skrapar dhe në fshatin Mëndrakë, Kuçovë fidanë të dyshuara bimë narkotike cannabis sativa.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Skrapar, arrestuan në flagrancë shtetasin A.M., 44 vjeç, banues në Vërzhezhë, pasi u kap nga shërbimet e policisë, duke ujitur fidanët të dyshuara bimë narkotike cannabis sativa, të cilat ishin të mbjella pranë tokës së tij.

Gjithashtu specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kuçovë, proceduan penalisht shtetasit Sh.K., 62 vjeç, me detyrë Kryetar i fshatit Mëndrakë, Kuçovë dhe K.B., 51 vjeç, me detyrë Inspektor i Shërbimit Pyjor, pasi dyshohen se kanë konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorim detyre”.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb