Deputeti i PD, Edmond Spaho, ishte i ftuar këtë të martë mbrëma në emisionin “Frontline” me gazetaren Marsela Karapanço, në News24.

Ai foli për situatën aktuale politike në vend, dhe më konkretisht me protestën e opozitës brenda dhe jashtë Kuvendit.

Ai tha se deputetët e opozitës nuk do të lejojnë të zhvillohet një seancë normale parlamentare, sa kohë nuk do të zhvillohet mocioni me debat me kryeministrin Edi Rama lidhur me çështje e zyrtarit të lartë të FBI.

“Nuk përbën për mua problem rënia e bilbilit, rënia e tavolinës, madje thash se do thyej edhe karrige nëse do jetë e nevojshme. Sepse shoh që problemet janë shumë më serioze dhe kanë të bëjnë me të ardhmen e qytetarëve. Rama po vë në rrezik pluralizmin. Çështja McGonigal tregoi se ai bleu zyrtarë të lartë që nuk ka ndodhur në asnjë vend.

SHBA me veprime abuzive të individëve të caktuar, në këtë rast kemi të bëjmë me  një individ shumë të rëndësishëm që ka shkaktuar dhe një shqetësim shumë të madh edhe atje dhe ka dy gjyqe.

Ne nuk kërkojmë të hetohen SHBA, as McGonigal në rolin e tij në FBI, por veprimet e kryeministrit të Shqipërisë për të shkatërruar opozitën shqiptare”, tha ai.

Spaho tha se është e nevojshme që të ngrihet një Komision Hetimor për të hetuar lidhjen e Ramës me McGonigal, pasi sipas tij SPAK është i kapur nga Rama dhe nuk mund të hetojë në mënyrë të pavarur dhe të drejtë.

“Kjo është një çështje shumë serioze dhe veprimet që janë bërë këtu kanë qenë konkrete. Tani Rama po kalon në një fazë tjetër, duke shkatërruar dhe atë pak pluralizëm që ka mbetur në Kuvend, duke mos lejuar ngritjen e një Komisioni Hetimor.

SHBA heton për veten e saj, Shqipëria do të hetojë për veten e vet. Të presësh që SPAK të hetojë Ramën është si të presësh të “bëjë gjeli vezë”… pra cila është forma e vetme e hetimi? Ngritja e një komisioni hetimor.

Unë protestoj për shkeljen e Kushtetutës.

Unë nuk e kam mohuar, me qëllim ne nuk do të lejojmë zhvillimin e një seance normale. PS bashkë me Ramën thonë që nuk ka skandal e McGonigal dhe se është shpikje e opozitës.

Edi Rama ka hyrë në këtë marrëdhënie joligjore, dhe veç dëmit që ka shkaktuar në SHBA, ka shkaktuar edhe në Shqipëri, dhe ne për këtë po protestojmë.

Grushti i shtetit po bëhet në të gjithë Shqipërinë, po e bën kryeministri. Edi Rama në shumë raste ka vepruar sipas interesave të tij, tani ka arritur tek pika që nuk trembët dhe del publikisht dhe thotë se do veprohet siç do ai.

Grusht shteti është, nuk ka çfarë emri tjetër t’i vesh.

Kryeministri ka kohë që nuk vjen në parlament, por ne nuk kemi lëvizur nga protesta. Ne do vijojmë me të njëjtën sjelle deri sa të bëhet mocioni me debat dhe përgjigjen e kryeministrit ndaj pyetjeve tona”, tha ai.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb