TIRANE- Kur na ndajnë vetëm 4 ditë nga 1 Prilli, i cili sinjalizon dhe fundin e marrëveshjes parazgjedhore të dy aleatëve në qeveri, Edi Ramës kryeministër dhe Ilir Metës Kryetar Kuvendi, të shumta janë hipotezat që hidhen, që nga rinovimi i kontratës e deri tek prishja përfundimtare mes tyre. Analistë dhe gazetarë si Ylli Rakipi, Robert Rakipllari, Arjan Çani dhe Ilir Kulla të ftuar në emisionin “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili në “News24” parashikojnë se çfarë do ndodhë me dy aleatët. A do vendosin ata për një tjetër “martesë”?

Sipas Ilir Kullës, Rama nuk është në gjendje t’i vendosë kushte Metës dhe se është ky i fundit që i përcakton rregullat e lojës. “Jo vetëm që nuk i vë dot kushte LSI-së, po do t’i shkojë nga mbrapa nëse ikën do t’i thotë: Aman çfarë po bën”, – tha ai, ndërsa shtoi se Meta nuk hyn në zgjedhje pa u ulur fillimisht në një tryezë diskutimi me Ramën.

Por a është kusht zgjedhja e Ilir Metës kryeministër që ky i fundit të firmosë një tjetër kontratë 4 vjeçare me Ramën? Kryeredaktori i gazetës “Panorama”, Robert Rakipllari deklaroi në emision se Rama i vetëm nuk i fiton dot zgjedhjet, por problemi më i madh që ka sot është mungesa e opozitës në zgjedhje.

“Rama nuk ka sot 71 vota, sot varet nga Meta. Nëse Meta ia heq mbështetjen ai nuk është më kryeministër. I vetëm në zgjedhje nuk i merr dot 71 mandate, në këtë kuptim është i lidhur me Metën. Sot kemi një Edi Rama që varet nga Meta, një kryeministër i kushtëzuar, por problemi kryesor i Ramës sot është si do ta fusë opozitën në zgjedhje”,- tha Rakipllari.

Me ironi, gazetari Arian Çani ka shtuar se kryeministri di t’i joshë të gjithë dhe do arrijë ti marrë ca deputetë opozitës.

“Rama i josh të gjithë, është i gjatë, është simpatik. Këta e duan shumë Ramën… Në këto kushte opozitës i mblidhet laku, litari. Opozitës do i ikin disa deputetë, do ketë firo, do hyjë në zgjedhje sepse populli është në shtëpi se po të ishte populli në rrugë ishte ndryshe”,- tha ai.

Rakipllari: Nuk hyn opozita në zgjedhje me Ramën kryeminsitër

Çani: Nëse populli do rrinte në rrugë edhe qeveria do ishte rrëzuar

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb