TIRANË

Arrestohet në Rinas një i kërkuar i grupit të Lazaratit. Shkëmbimi i informacionit mes Interpol Tirana dhe Policisë Belge çon në pranga një 30-vjeçar të kërkuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Në orët e mbrëmjes, Policia Kufitare e Rinasit, pas informacionit të marrë nga Zyra Qëndrore Interpol Tirana, se ‘një i kërkuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve po vinte me avion nga Belgjika për në Rinas dhe aty mund të prezantohej me dokumenta të falsifikuara’, menjëherë në momentin e zbritjes nga avioni bëri arrestimin e shtetasit shqiptar Beqo Brahimi, 30 vjeç, lindur në Gjirokastër.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në bazë të Vendimit Penal nr.269 dt.05.06.2015, të Gjykatës së Krimeve të Rënda Tiranë, e cila kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu po për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Lushnje, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb