TIRANË

Ish-deputeti i PD, Preç Zogaj zhvilloi sot homazhe në ambjentet e parlamentit, në nder të shkrimtarit Bardhyl Londo, i cili u nda nga jeta një ditë më parë, si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.

Duke folur për gazetaren Fatmira Nikolla, për miqësinë mes tij dhe ish kolegut Londo, Zogaj tha se ishte një miqësi poetësh.

“Ka vazhduar sic ka vazhduar poezia e tij dhe imja. Poezia më ka mbajtur të lidhur me të deri në fund. Kemi patur një miqësi prej poetësh.

Me ndarjen nga jeta të Londos, pushoi dora mendja dhe zemra e një poeti, janë esenca e kombit, Bardhyli ishte një prej tyre, por që udhëtoi në rrjedhat e modernitetit si poet.” u shpreh Zogaj, ndërsa ndau edhe bisedat e fundit me shkrimtarin e ndjerë.

“Bardhyli në komunikimin me mua, ka qenë me biseda kryesisht për poezinë, mendoj se pengu ose ajo që e shoqëroi atë në këtë etapë përmbyllëse ishte një lloj tragjedie familjare, dhimbja për bashkëshorten, një distancim prej shkrimtari. Shëmtimi është një provokacion për poetin, është edhe armiku i poetit. Identiteti i poezisë është e bukura.” u shpreh Zogaj.

JETESHKRIMI
Bardhyl Londo ka lindur më 1948 ne Përmet. Vazhdoi studimet për Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës. Pas mbarimit të fakultetit ai punoi për disa vite mësues në Përmet dhe më pas për gazetën letrare “Drita”.

Për disa kohë ka qenë kryetar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve”. Krijmtaria e tij letrare përfshin 8 vëllime me poezi si edhe disa romane. Është fitues i çmimit “Migjeni”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb