“Thanë se atdheun e kemi bashkë, dhe na treguan një lumë a një pllajë, një imazh reje që tundej si erashkë dhe një pirg dhe që pret në skaj. Pastaj i morën për vete një e nga një, të gjitha ato që kishim bashkë në letër.
Kur panë se për ne nuk mbeti asgjë, thanë ikni, thyeni qafën diku tjetër”.

Me këto vargje të Sokrat Habilajt, nisi në Bibliotekën Kombëtare, mbrëmja “Poezi të tranzicionit”, organizuar nga shkrimtari Liridon Mulaj. Në mesin e një diskursi të ashëpr politik, para zgjedhjeve parlamentare, ku të ikurit presin në mërgim politikanë të të gjithë kahëve në takime elektorale ku ju thuhet se atdheu është këtu dhe se është në duart e tyre, vargjet e poetëve ju tregojnë duart bosh dhe një atdhe ku ska mbetur më asgjë, përveç mallit, pritjeve e arsyeve të reja për të kërkuar Europën, duke parë në sy traumat e tranzicionit.
“E kam konceptuar këtë natë më shumë si homazh, homazh për viktimat e kësaj periudhe të gjatë, të trashë, të mjegullt. Dhe jo vetëm viktimat në kuptimin fizik, pra njerëzit që vdiqën gjatë përpjekjeve për të ikur me anije, gjatë luftës civile- por viktimat shpirtërore, ka njerëz që humbën shpirtin, veten, humbën njeriun që kishin brenda vetes, dhe kush më mirë se poetët e poezia e la këtë gjurmë të thellë të kësaj kohe”, tha Liridon Mulaj.

Vargje nga 35 poetë që shkruan mes dy kohëve por mbi të gjitha shkruan për plagët e tranzicionit, u lexuan për të pranishmit, duke bashkuar artin si shije dhe si angazhim, në rrëfenja tranzicioni, kur fajtorët edhe nëse nuk kanë emër, janë të identifikueshën, në mesin e turmave apo stadiumeve prej ku kërkojnë besim dhe ripremtojnë Europën si në kapërcyellin mes dy kohëve, duke hequr nga vetja përgjegjësinë për veprimet ose mosveprimet e dekadave që i bënë shqiptarët të ikinin ose të humbasin veten dhe vendin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb