Pol Pogba, në një intervistë të gjatë për të përjavshmen britanike “Eskuajër”, ka folur gjerësisht për jetën e tij që nga fëmijëria e vështirë në periferitë e Parisit dhe deri te jeta mes luksit në Mançester pas transferimit bombastik nga Juventusi vitin e kaluar. Mes peripecish dhe problemesh dialektore, numri 6 i formacionit të Murinjos rrëfen ecurinë e tij, që nga familja e zgjeruar, te transferimit në Angli e deri te rikthimi për 100 milionë euro në Mançester.
BESIMI
Intervista e tij nis me një sqarim mbi fenë e tij, islamin, dhe atentatit terrorist që tronditi pikërisht Mançesterin më 22 majin e kaluar. Në lidhje me këtë fakt, mesfushori francez deklaroi: “Pa dyshim një moment i vështirë, por ne që jetojmë në Mançester nuk duhet të dorëzohemi, nuk mund të heqim dorë nga jeta dhe t’i lejojmë të fitojnë. Duhet luftuar fort kur ndodhin të tilla gjëra. Islami nuk ka lidhje me vdekjen, këtë e dinë të gjithë jo vetëm unë”.
Jo vetëm akti terrorist dhe viktimat e tij, por edhe vdekja e të atit është diçka që duket qartë që e ka tronditur: “Kur vdiq im atë kuptova se jeta duhet shijuar, sepse kalon shpejt dhe vjen një moment që nuk je më. Babai im ishte një burrë i fortë, me humor, por edhe shumë kokëfortë. Jam krenar që jam djali i tij”.
FAMILJA
Pol Pogba ka pasur një fëmijëri të vështirë në periferi të Parisit. Ai vjen nga një familje e varfër, por ka një lidhje të fortë me kushërinjtë e shumtë që jetonin në të njëjtën shtëpi me të. Vetë Pol tregohet i hollësishëm në përshkrimin e tij: “Pavarësisht se ishim të shumtë në një hapësirë të vogël kemi shkuar gjithmonë shumë mirë dhe kemi pasur fatin se kishim një çati mbi kokë dhe ushqim. Ishim të paktën katër fëmijë që flinin gjithmonë së bashku në të njëjtin shtrat. Vërtet vuanim disi, por ka qenë një periudhë shumë e bukur. Suksesi nuk më ka ndryshuar, jam ende i afërt me të gjithë”.
Raporti i tij me familjen duket që është shumë i fortë, mjafton të shikosh se sa familjarë të Pogbasë janë në shkallët e stadiumit sa herë që ai luan. Sigurisht më e rëndësishmja mbetet mamaja, për të cilën Pol theksoi: “Pa dyshim një pikë referimi, sidomos pas ndarjes së babait nga jeta. Ndër dhuratat e fundit që i kam bërë, është një shtëpi në Guine. Nuk kam kohë për femra të tjera, mamaja është e vetmja, por sigurisht në momentin e duhur do të kem edhe unë familjen time”.
KËPUCËT
Pogba sot është një nga figurat kyçe të firmës së veshjeve sportive “Adidas”. Ekstravaganca dhe dëshira për t’u veshur mirë e ka karakterizuar gjithmonë, çka e konfirmon edhe vetë francezi nëpërmjet një historie: “Kur fillova të fitoja paratë, e para isha 18 vjeç dhe menjëherë bleva dy palë këpucë shumë të shtrenjta të markës ‘Loboutin’.
Isha aq i tronditur me shumën e shpenzuar sa nuk dola një muaj nga shtëpia dhe i premtova vetes se nuk do të blija më këpucë aq të shtrenjta. Kur shkova në Itali m’i vodhën së bashku me disa orendi të tjera. I bëj apel hajdutit që të më kthejë vetëm këpucët, mund të mbajë çdo gjë tjetër që më mori”.
PASIONET
Në lidhje me pasionet dhe kohën e lirë, “Zoti 100 Milionë” shpjegon: “Që i vogël kam luajtur me top, ndaj mund të them se pasioni im ka qenë dhe mbetet futbolli. Më pas jam i pasionuar pas modës dhe filmave ku dua të veçoj ‘Pulp Fiction’, ‘Gladiatori’ dhe ‘Njeriu me shenjë’. Nuk do të më vinte keq të isha një Denzel Washington i ri”.
JUNAJTID
Për momentin, mesfushori 24-vjeçar është i përqendruar te karriera e tij si futbollist, ndoshta për kinematografinë do të ketë kohë. Në intervistën e tij, ai shpjegoi se nuk është aspak dakord me zërat që flasin keq për sezonin e ekipit të Murinjos apo për kartonin e tij: “Na përshkruanin si ekipi më i dobët në botë, por ja që fituam tre trofe dhe sezonin tjetër na pret Liga e Kampioneve. Pranoj çdo kritikë, por faktet më japin të drejtë, në fund kanë rëndësi vetëm kupat, pasi mund të jesh ekip i mirë, por ia që sot vlejnë vetëm trofetë”.
100 MILIONË
Në lidhje me kartonin e tij, për të cilin familja Gllejzer pagoi plot 100 milionë euro, Pogba nuk ndihet nën presion, madje thuajse e ka harruar se sa shumë ka kushtuar. Gjatë intervistës, ai shpjegon: “E di shumë mirë se sa kanë investuar për të më sjellë në Mançester, por me kalimin e kohës u mësova. Më shumë ma kujtojnë njerëzit se sa unë vetë. Jam munduar të jap maksimumin sa herë kam zbritur në fushë dhe gjatë sëmundjes së babait tim nuk ka qenë e lehtë, por jam profesionist dhe jam përpjekur të përshtatem me situatat”.
SËR ALEKS DHE JUVENTUSI
Vetëm 16 vjeç dhe transferimi në Angli për herë të parë. Cilido adoleshent do të kishte pasur vështirësi, por jo Poli. Edhe për këtë e ka një shpjegim, megjithëse disi humoristik: “Vështirësia e vetme ishte të kuptoja anglishten e një skocezi si Aleks Fergusoni. Dua të theksoj se u largova drejt Torinos vetëm sepse doja të luaja më shumë.
Isha vërtet shumë i ri, por kisha shumë besim në vetvete e ndjeja se isha gati për futbollin e niveleve të larta dhe me Juventusin ia dola të tregoja vlerën time. Mamaja ime më shtyu dhe pati të drejtë, por gjithashtu dua të them se ajo më pati thënë se do të rikthehesha dhe ja ku jam sot”./panoramasport/
(BalkanWeb)