Fjala e fundit i takonte Paul Pogba, por zgjedhja e yllit francez nuk i ka lënë një shije të mirë drejtuesve të Juventusit. Pas konsultave të ndryshme mjekësore, Pogba ka vendosur të mos i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale në gjurin e tij të djathtë, por do të mjaftohet vetëm me terapi konservative. Në këtë mënyrë, Pogba pritet të mungojë për rreth një muaj e gjysmë, por kjo nuk do të thotë që francezi do të jetë shëruar plotësisht, problemi në menisk pritet të jetë prezent.

Mesfushori zgjidhi përfaqësuesen franceze dhe Botërorin përpara Juves, mbase kjo zgjedhje ishte e pritshme pasi asnjë lojtarë nuk dëshiron të humbas një turne të tillë. Pogba mund të kthehet në dispozicion të Allegrit për ndeshjen Juventus-Salernitana ose Monza-Juventus, të planifikuar rreth mesit të shtatorit. Sipas programit të rikuperimit, gjatë tri javëve të para duhet të bëhen ushtrime rehabilituese në palestër pishinë dhe fizioterapi, ndërsa dy javët në vijim stërvitje individuale të personalizuara.

Ish-mesfushori i Mançester United, i cili u rikthye tek Juvja këtë verë pas 6 sezonesh me “Djajtë e Kuq”, u ndal pak ditë pas zhvendosjes së skuadrës në Shtetet e Bashkuara. Gjatë stërvitjes, Pogba ndjeu një kërcitje në gjurin e tij të djathtë dhe testet e kryera në Kaliforni zbuluan dëmtimin e meniskut anësor.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: