Pogradec mirëpret në datat 3 deri më 8 korrik Festivalin Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë (B3F). Këtë vit është edicioni i shtatë i këtij festivali, që tashmë përbën një ngjarje të rëndësishme kulturore për krejt Ballkanin.

Festivali hapet me projektimin e filmit të gjatë grek “I padukshëm”, me regji të Dimitris Athantis.

Përgjatë festivalit do të projektohen 64 filma të autorëve nga të gjitha vendet e Ballkanit. Shqipëria përfaqësohet më 8 filma të kineastëve të rinj. Kosova përfaqësohet me 11 filma.

Një seksion më vete i festivalit është “Mish-_Mash”. Ky seksion, që tashmë është shndërruar në një traditë, ka për qëllim që të bëjë bashkë dhe më pas të trajnojë nxënës e studentë me formim e origjinë të ndryshme në rrugën e gjatë të krijimit filmik. Të rinjtë trajnohen përgjatë një jave nga eskpertë të filmit dhe dokumentarëve, dhe më pas vendosin ata vetë se cila prej punëve që ata kanë realizuar këto ditë vlerësohet me çmim, shkruan “ata”.

Këtë vit, e reja e rëndësishme është se, në bashkëpunim me organizatën ndërkombëtare prestiogjoize World Vision, do të bëhen bashkë, do të diskutojnë bashkë dhe do të prodhojnë bashkë adoleshentë shqiptarë e serbë nga Kosova, të cilët në kushte të tjera nuk do të kishin mundësi jo të shkëmbenin përvoja, por as ta përshëndesnin njëri-tjetrin.

Një tjetër risi këtë vit në festival, në natën e fundit, është premiera botërore e filmit të gjatë thriller spanjoll “Zgjimi i Enver Simakut”, me regji e skenar të Marco Lledo Escartin. Në këtë film që inspirohet nga Shqipëria e 1997, interpretojnë figura të tilla të ekranit shqiptar si Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Viktor Zhusti, Pirro Milkani, Ema Andrea, Laert Vasili, Lulzim Guhelli.

Filmat projektohen në kinemanë “Mitrush Kuteli” në qendër të qytetit. Në ekrane të mëdha të vendosur jashtë ato do të projektohen edhe për një publik më të gjerë. Një juri me ekspertë ndërkombëtarë jo-ballkanikë do të vlerësojë filmat. Ceremonia e ndarjes së çmimeve organzohet natën e fundit, 8 korrik, pas premierës së filmit spanjoll.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb