Regjisori i njohur kontrovers, Roman Polanski i bëri homazh një çifti polak, që e shpëtoi atë nga Holokausti dhe që u nderua pas vdekjes me titullin ”Të drejtët midis kombeve” të dhënë nga muzeu i Izraelit kushtuar Holokaustit ”Yad Vashem”.

Polanski, në atë kohë vetëm 9 vjeç, bir i një babai hebre dhe një nëne katolike me origjinë hebraike, u mirëprit gjatë Luftës së Dytë Botërore nga Stephanie dhe Jan Buchala në një fshat afër Wadowice, në Poloninë Jugore, pas dëbimit të Hebrenjve nga Krakovi për në kampet e përqendrimit.

Prindërit e tij kërkuan strehim për djalin midis miqve johebrenj. Babai i Polanskit i mbijetoi kampit të përqendrimit në Mauthausen, ndërsa nëna e tij u vra në Aushvic.

Në dëshminë e tij në Muzeun e Holokaustit” Yad Vashem” në Jeruzalem, Polanski tha se ”Stefania Buchala më siguroi strehim duke rrezikuar jetën e saj dhe të familjes së saj”.

Në Poloni, nën okupimin gjerman të Luftës së Dytë Botërore, edhe ndihma më e vogël e dhënë hebrenjve dënohej me vdekje, jo vetëm nga personi që ofronte ndihmë, por edhe familjarët e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb