Gerti Bogdani, i ftuar në studion e emisionit “Open”, ka ofruar një analizë të thellë mbi zhvillimet e fundit në garën presidenciale në Shtetet e Bashkuara, duke u ndalur në rëndësinë e polarizimit politik dhe në atentatin e dytë ndaj ish-presidentit Donald Trump.
Bogdani ka theksuar se momenti i polarizimit të thellë në politikën amerikane ka filluar me fitoren e Trump në vitin 2016. Ai ka kujtuar se deri në momentin e fundit, CNN dhe mediat e tjera kryesore mbështesnin idenë se Hillary Clinton mund të fitonte.
“Momenti i polarizimit ka ardhur me fitoren e Trump në vitin 2016. CNN deri në momentin e fundit thoshte se Clinton mund të fitonte dhe në momentin që ka një fitues, para se të jepet fjalimi i fitores, jepet fjalimi i humbësit më parë. Në vitin 2016 nuk pati një gjë të tillë. Këtu filloi gjithë kjo çarje,” ka deklaruar Bogdani.
Ai ka nënvizuar gjithashtu rolin e mediave sociale në intensifikimin e këtij polarizimi, duke theksuar se informacioni është shpesh pa filtra dhe se ka pasur një ndarje të qartë edhe në mediat tradicionale.
Bogdani ka përmendur se atentati i parë ndaj Trump ka qenë i nënvlerësuar nga CNN, dhe ka theksuar se kishte pasur mungesë barazie në fakt-checking në debatin presidencial, duke u fokusuar më shumë te Trump dhe duke lënë anash kandidaten demokrate Kamala Harris.