TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta komentoi dhe marrëdhënien mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD-së Lulzim Basha dhe një dakordësi të mundshme mes tyre me një batutë karakteristike të tijën. Por nga ana tjetër Meta i bëri përgjegjës për situatën në vend. Ai e cilësoi një situatë artificiale dhe se polarizimi në politikë nuk ekziston në shoqëri.

Sipas Kreut të shtetit bëhet fjalë për një antagonizëm të imponuar nga lart, madje një antagonizëm i orkestruar nga jashtë për të mbajtur Shqipërinë në ngërç.

“Nuk ka gjë më të mirë se sa dashuria por më e rëndësishme për politikanët është përgjegjshmëria. Unë mendoj që ata që të dy kanë reflektuar një mungesë të madhe të përgjegjësisë së përbashkët për situatën në vend prej një kohe të gjatë. Në mënyrë të veçantë gjatë këtij viti. Kjo ka qenë një situatë artificiale e kam thënë në mënyrë të vazhdueshme. Qytetarët shqiptarë nuk e kanë merituar sepse ky polarizim nuk ekziston në shoqëri, në komunitete, në lagje, në fshatra. Është një antagonizëm i imponuar nga lart për të mos thënë që ndonjëherë më duket si një antagonizëm i orkestruar nga jashtë për të mbajtur Shqipërinë në një situatë ngërçi të pakuptimtë dhe në një pozitë jo shumë të favorshme siç e meriton Shqipëria për të pasur ato kredenciale që duhet të ketë një vend që është vend anëtar i NATO-s prej 10 vitesh, një vend që duhet t’i kishte hapur negociatat me BE dhe një vend ku njerëzit nuk duhet të vrapojnë për të ikur”, theksoi Presidenti Meta.

Ai shtoi se nëse ata reflektojnë tani, kjo është një gjë shumë e madhe. “Unë këtë gjë ua kam kërkuar prej kohësh. Kjo është një gjë që ka qenë e pamundur për shkak të mungesës së vullnetit të tyre. Unë ua kam krijuar mundësinë. Gjithmonë u kam dhënë një rrugë, një mundësi për të ecur në rikthimin e vendit në shinat e Kushtetutës, në shtetin e së drejtës, të dialogut të qëndrueshëm politik dhe vetë përparimit të procesit të integrimit europian. Sa i përket ndonjë takimi me zotin Rama, nuk kam pasur asnjë mundësi të takohem. S’kam ndonjë shqetësim, unë vazhdoj i pres. Unë i takoj të gjithë. Kjo është detyra ime si President i Republikës”, u shpreh ai.

Duke u kthyer tek informacioni për djegien e parlamentit, Meta sqaroi se përse nuk mblodhi Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Në përgjigje, Presidenti tha se kryeministri Rama ndodhej në fushatë, ku kishte pasur një natë të këndshme në Skrapar.
“Për informacionin në fjalë, ky është informacion që ka mbërritur në datën 7 dhe në datën 7 nuk kam qenë këtu, kam qenë jashtë disa ditë. Kam ardhur në 8 pasdite, ose nga ora 3 besoj. Së dyti nuk besoj se do të zgjidhte diçka në ato kushte këshilli i sigurisë kombëtare se të gjithë ishin në fushatë, duke filluar me kryeministrin që atë natë ka pasur një natë shumë të këndshme në Skrapar e pastaj në Berat ditën tjetër e gjithë të tjerët.
Sikurse e thashë në komisionin hetimor, kam bërë një përpjekje për t’u takuar me zotin Ruçi por ai ka qenë në Tepelenë kur unë e kam telefonuar dhe nuk kam dashur ta shqetësoj por i gjithë gjykimi i situatës ka qenë kompleks dhe çdo vendimmarrje e mëvonshme mund të ishte e padobishme. Nëse gjithçka do dilte jashtë kontrollit do vështirësohej situata dhe kushtet për dialog. Kështu që unë kam ushtruar ato përgjegjësi që mi jep në mënyrë të qartë dhe ekskluzive Kushtetuta e Shqipërisë pas përpjekjeve të mia të palodhura midis palëve për një kohë të gjatë. Shikoni dhe raportet e OSBE-ODIHR”, u shpreh Meta.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb