Florian Çullhaj PhD

Libri i fundit Toskë dhe Gegë i Mustafa Nanos është një kontribut në lëmin e letërsisë dhe të disiplinave si motra. Por, në momentin që autori pretendon se është një qasje njëqind përqind studimore, atëherë buisin një sërë problematikash konceptuale dhe metodologjike që kërkojnë elaborate më të thelluara për të davaritur dyshimet e studiueseve. Libri dallohet për nga atmosfera që krijon, për nga cilësia e stilit të shkrimit, fjalorit të pasur, koherencës dhe rreket të zbulojë një etos esencialist Nolian, dallues mes toskëve dhe gegëve. Objektivi i autorit, i cili e ndjek me përpikëri përgjatë narrativës është, siç thuhet në Romë, sfatare il mito, pra çmitizimi se gegët janë të kombit dhe toskët janë të shtetit. Përpjekja e autorit është e lavdërueshme dhe ambicioze për një ekzegjezë letraro-historike dhe për një vlerë të matshme filiologjike. Megjithatë, zgjerimi i diapazonit të temave të marra në shqyrtim, ku secila syresh do të përbënte më vete një rast studimor, si dhe anashkalimi i këndvështrimeve alternative mbi këto tema, e zbehin forcën e argumentit.

Autori i nis kapitujt me disa postulate. Sintetikisht disa syresh: Shfaqen në histori gegët e toskët • Prej ilirëve te gegët, e prej epirotëve te toskët • Nevoja për të përcaktuar kufijtë në Ballkan dhe loja politiko- akademike me hartat • Kosovarët mbeten të padukshëm në histori deri vonë • Kosovarët bëhen të gjallë me Lidhjen e Prizrenit • Lidhja nisi si lëvizje e gegëve myslimanë, por u bitis si lëvizje kombëtare • Gjergj Fishta romantizon Lidhjen e Prizrenit • Pa Abdyl Frashërin, Lidhja do të mbetej në histori si një lëvizje islamike • Rilindja jonë është me karta europiane krejt të panjolla • Fishta te “Lahuta e Malcis” edhe zanave u mveshi ndjenja kombëtare • Në mbledhjen e parë të Lidhjes nuk ka pasur të krishterë • Abdyl Frashëri ishte i vetmi njeri me vizion atdhetar në Lidhje • “Në Lidhje mbolla farën,” i tha Abdyli konsullit grek teksa ishte në pranga •

Përgjatë leximit të lind ndjesia se autori, ndoshta në pavetëdije, ndjek paradigmën e Eduard Saidid tek libri Orientalizmi (1978) me arsyetimin dyadike Lindje/Perëndim, pra Toskë/Gegë. Autori e gjurmon këtë diskurs, duke përfshirë letërsinë, letërsinë epitsolare, dhe sidomos referenca historike për të legjitimuar pozicionin e tij. Por, referencat janë kryesisht nga historiografia zyrtare e sistemit të shkuar, i cili në një arsyetim Saidian është ontologjikisht njëjtë Orientalist sepse dënoi një orientim Lindje/Perëndim, por, krijoi/shpiku një orientim Lindje/Perëndim kinse të ri. Autori Enis Sulstarova në librin e tij Arratisje nga Lindja (2007) e ka të thelluar këtë qasje edhe më mirë. Kjo diadë është një fikson, ajo nuk është një referencë ‘ontike’ sepse kategoritë e mendimit në ndermin e saj janë kontingjente dhe të konstruktuara rast-pas-rasti. Kjo kornizë diskursi e ndërtuar nga historiografia zyrtare e sistemit të shkuar është hegjemone, dhe ka lejuar një justifikim për legjitimimin dhe delegjitimimin e figurave historike pa i parë ato në holistikën e tyre, nën dritëhijet e interpretimeve bashkëkohore. Akëcili syresh që i referohet këtyre burimeve, pa përcjellë edhe qasjen alternative duhet të jetë i vetëdijshëm, se do ngre dyshime në radhët e studiueseve për njëanshmëri dhe mbithjeshtim dhe do të mbetet gjithnjë i keqkuptuar.

Për ilustrim, do të rendis vetëm dy momente nga libri i Nanos ku shfaqet ky fenomen dhe si këndvështrim alternativ të leximit të faktve historike do të përdor librin e Hysamedin Ferajt, Skicë e mendimit politik Shqiptar (2006)

Momenti i parë. Mustafa Nano shkruan: Duket se pushtimi turk, i pangjashëm me pushtimet e tjera të deriatëhershme, krijoi një këputje e ndërprerje të historisë. Riorganizimi e hierarkia e re sociale e politike, doket, zakonet e ethosi që lidhej më së pari me fenë e pushtuesit, e në përgjithësi një rend tjetër gjërash, duhet të jenë përjetuar nga shqiptarët si një rithemelim. Si nisje nga fillimi. Dikush u largua, dikush rezistoi e humbi gjithçka, dikush bëri përpjekje të përshtatej e të mbijetonte, dikush u dorëzua, duke përfituar në këmbim pushtet e pasuri në hapësira perandorake. Asgjë nuk mbeti më si më parë, e është në këtë rrethanë që veriu u nda nga jugu, ndonëse është e vështirë të japësh një dinamikë të kësaj ndarjeje në përgjigje të pyetjeve: Si? Pse? Kur saktësisht? Por një gjë është e provuar tanimë: u rritën diferencat e u zvogëlua komunikimi. (f. 180-181).

Ndërsa sipas Ferajt: Dobësia e hipotezës e cila paraqet Perandorinë Osmane si ‘të egër’, ‘barbare’ me prirje të forta asimiluese etj., qëndron në faktin se nuk mund të shpjegojë bindshëm se, pse shqiptarët u integruan aq shumë në Perandorinë osmane në qoftë se ajo u keqësoi gjendjenr përgjithshme të tyre? Përse tek shqiptarët xhizja ishte presion i mjaftueshëm për ndërrimin e fesë, ndërsa tek popujt e tjerë jo? Si mbijetuan shqiptarët me gjithë ‘presionin e madh asimilues’ pesëqind vjeçar? Në qoftë se jo si një mrekulli të ‘shpirtit të pamposhtur të popullit shqiptar’ atëherë si e shpjegon forcën me të cilën janë ruajtur e drejta zakonore, traditat etnike, veçoritë psikologjike të shqiptarëve etj…..si është e mundur që ‘vendi më i prapambetur i Europës’ është njëkohësisht edhe fuqia më e madhe e botës? (f. 58-59)

Momenti i dytë, Mustafa Nano shkruan: Komunistët nuk patën skrupuj e mëshirë, dhe në këtë mes nuk kanë munguar ata që kanë folur – për dikë si një shpjegim shtesë, e për dikë tjetër si një shpjegim i vetëm – për një disponim antikatolik e antigegë të Enver Hoxhës e Co. Hm, personalisht nuk jam kaq i sigurt. Enver Hoxha nuk tregoi ndonjë interes për origjinën, fenë apo formimin e kundërshtarëve të vet. Ai vrau edhe Bahri Omarin, që e kishte kunat.

Ndërsa sipas Ferajt: Një drejtim i njëanshëm politik enverist ndaj tri besimeve kryesore fetare dëshmohet në numrin e klerikëve të dënuar për secilin prej tyre. Edhe në këtë rast më i privilegjuari është besimi ortodoks dhe më i luftuari besimi katolik. Kështu, gjithsej u dënuan 5 klerikë të besimit ortodoks, 23 të besimit mysliman dhe 127 të besimit katolik. (f. 351)

Si përfundim, mjaftojnë këta dy shembuj për të ilustruar qasjen njëdimensionale deri indulgjente, të Nanos, njëjtë me historiografinë zyrtare të regjimit të shkuar. Objektiviteti shkencor është imperativ kategorik i një studiuesi i cili operon me faktet i ftohtë, edhe pse nuk është dakord me një qasje ai duhet t’i përfshijë ato në analizën e tij, duke e delegjitimuar me argumente dhe të dhëna dhe jo me opinion. Në të kundërt shkenciteti davaritet. Përkatësisht, libri i Mustafa Nanos Gegë dhe Toskë mbetet një prurje e vyer, por e kornizuar së brendshmi lëmit të letërsisë. Jashtë saj, mbetet tejet i debatueshëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb