Në studion e emisionit “Real Story” në News 24 teksa publicisti dhe analisti kosovar, Veton Surroi dha mendimin e tij për zhvillimet në Kukës, ku Këshilli i Qarkut i hoqi titullin “Qytetar Nderi”, për shkak të fushatës së tij mediatike dhe politike kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa Prefekti e rrëzoi këtë vendim, u dëgjua edhe komenti i gazetarëve dhe analistëve të tjerë.

Drejtori i Informacionit në “News 24”, Robert Rakipllari, u shpreh se Surroi parashtroi sot në studio një këndvështrim të ri, sa i përket ngritjes së Komisionit Hetimor për raportin e Dick Maryt.

Ndërsa Surroi tha se Shqipëria po barazohet me Serbinë sa i përket mohimit të drejtësisë ndërkombëtare, Rakipllari e cilësoi komisionin në fjalë si karakteristikë të qeverive në vitet e fundit të pushtetit.

Në lidhje me heqjen e titullit nga Këshilli Bashkiak i Kukësit, ai tha se vendimi, ndonëse i korigjuar tashmë, ishte qesharak.

“Këndvështrimi i Surroi ishte i ri, se ky komision e fut Shqipërinë në një radhë me Serbinë dhe mohon çdo gjë, ky për mendimin tim është në vazhdën e komisioneve qesharake që qeveritë ngrenë nga vitet e tyre të fundit. Mbaj mend që edhe në kohën e Berishës u ngrit një komision i veshit. Komisionet mendohet të jenë leva në dorën e pakicës, që pakica të ketë një lloj mënyre për të kontrolluar shumicën, por realiteti ynë ka treguar se me këto komisione më së shumti kemi tallje. Pushteti, qeveria që i ka të gjitha opsionet e mundshme të hetimit, nis të hetojë çështje pas 20 vitesh. Mendoj ngritja e tij, që vjen pas akuzave të bëra për liderin e opozitës është një llogari e brendshem elektorale për të hedhur sa më shumë baltë mbi kreun e opozitës.

Politika është profesion, politika afron të fortët, por vjen pastaj edhe dita del ai njeriu atje që i bën gjyqin Veton Surroit. Ai është një njeri me të cilin ne duhet të krenohemi. Nuk do kishte këtë dimension që ka Surroi nëse do ishte Safet Gjici.

Qarku i Kukësit ka më shumë se 50 dëshmorë në luftën e Kosvës, por veprimi ishte qesharak. Kjo nuk doli si e papritur se para kësaj ishte kjo histaria e kasetës. U akuzua kryetari i opozitës se ka fshehur kasetën e masakrës në Krushë të madhe, pasi e gjetën një armik të brendshëm Bashën, u gjet edhe i jashtmi Surroi”,- tha Rakipllari.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb