Nga: AURORA KOROMANI*
TIRANE- Efektivët e arrestuar për arratisjen e këngëtarit Arkimed Lushaj, i njohur ndryshe me emrin Stresi, gjatë marrjes në pyetje nga kolegët e tyre, janë shprehur se nuk e kanë menduar asnjëherë se këngëtari do të arratisej dhe për këtë arsye e kanë neglizhuar pak rastin. “Nuk e menduam se do të largohej dhe do të hidhej nga komisariati”, mendohet të jenë shprehur para kolegëve të tyre tre efektivët, të cilët pak ditë më parë u pezulluan nga detyra dhe u vunë në pranga për “shpërdorim detyre”, pasi mendohet se me veprimet e tyre bënë që këngëtari Stresi të largohej nga ambientet e komisariatit. Ndërkohë, edhe 9 efektivët e tjerë, të cilët janë pezulluar nga detyra pas kësaj ngjarjeje, janë marrë në pyetje për të sqaruar rrethanat e ngjarjes së ditës së shtunë, teksa nga ambientet e Komisariatit Nr.3 në Tiranë u largua këngëtari nga Tropoja. Burime policore sqarojnë se efektivët e pezulluar nga detyra kanë deklaruar se ata janë lajmëruar me vonesë për largimin e Stresit, sepse po të ishin lajmëruar më parë, do kishin marrë masa që këngëtari të mos largohej nga ambientet e Komisariatit Nr.3 në kryeqytet. Efektivët e pezulluar nga detyra, gjatë marrjes në pyetje kanë sqaruar rrethanat e ngjarjes se nuk e kanë parë këngëtarin në momentin që është larguar nga komisariati.
Arratisja
Mëngjesin e së shtunës, Stresi është ndaluar për kontroll nga forcat e policisë rrugore, por ai ka refuzuar që t’u tregojë efektivëve dokumentet që i kanë kërkuar. Pas kësaj, Stresi është shoqëruar pranë ambienteve të Komisariatit Nr.3 pranë rrugës “Mine Peza” për verifikime të mëtejshme, ku gjatë veprimeve të policisë, Stresi ka rezultuar se ai nuk kishte me vete leje drejtimi, por veç kësaj ai i është nënshtruar edhe testit të alkoolit, nga i cili rezultoi se ishte tej normave të lejuara të drejtimit të mjetit. Pas këtyre rezultateve, agjentët e krimeve të Komisariatit Nr.3 kanë vendosur t’i komunikojnë arrestin në flagrancë për dy vepra penale: atë të “drejtimit të mjetit në mënyrë jo të rregullt” dhe atë të “drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit”. Mësohet se pas mesdrekës, Lushaj është shoqëruar nga dhoma e izolimit për në dhomën e oficerit të gatshëm për të firmosur procesverbalin e arrestit në flagrancë. Burime policore sqarojnë se, në momentin që këngëtari ka dalë në korridorin e komisariatit, ka përfituar që nuk ka qenë me pranga dhe pas kësaj ka shtyrë efektivët që e shoqëronin dhe është hedhur nga kati i dytë i komisariatit. Pas kësaj, edhe pse efektivët e kanë ndjekur me vrap, nuk kanë mundur që ta kapin dot Stresin, i cili ka arritur të largohet në rrugicat e rrugës “Mine Peza”. Pas kësaj, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka kryer arrestimin në flagrancë të tre punonjësve të policisë, të cilët janë përgjegjës për largimin e Stresit nga ambientet e komisariatit. Konkretisht në pranga janë vënë; 39-vjeçari Saimir Cinga, me detyrë ndihmës specialist për Linjat Interurbane në njësinë e Qarkullimit Rrugor; 48-vjeçari Bashkim Dybeli, me detyrë trupë shërbimi në Komisariatin Rajonal të Qarkullimit Rrugor; si edhe 46-vjeçari Mark Gjonpalaj, me detyrë oficer i Policisë Gjyqësore pranë Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë. Sipas njoftimit të ministrisë, tre efektivët mbajnë përgjegjësi për largimin e këngëtarit Lushaj nga komisariati, pasi ata mendohet se nuk i kanë vendosur prangat këngëtarit gjatë momentit të shoqërimit të tij nga një dhomë në një tjetër, dhe kjo gjë ka bërë të mundur që ai të largohet nga komisariati.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: