TIRANE- Partia Demokratike ka reaguar për dhunën e ushtruar ndaj një 70-vjeçari, “nga forcat e policisë. Sipas PD në një video që po qarkullon në media, i moshuari që thotë se është invalid, nxirret me dhuna nga banesa e tij në mes të ditës nga Policia.

“Vetëm pak minuta pasi Edi Rama shpalli sa krenar ishte për policinë e tij, dhe foli për revolucionin e madh, një karvan i uniformave të tij jo vetëm eci përpara, por nxori me dhunë nga banesa e tërhoqi zvarrë një 70-vjeçar në mes të ditës në Tiranë. 70-vjeçari, në videon që po qarkullon në gjithë mediat, dëgjohet teksa thotë se është invalid. Ai u bën thirrje ta lëshojnë, dhe shpreh indinjatën për dhunën e 20 policëve ndaj një të moshuari.

Kjo video është dëshmia e policisë së Tahirit dhe Edi Ramës, që nën drejtimin e tyre dhunon një 70 vjeçar invalid, ndërkohë që lejon drogën të pushtojë vendin e u shërben bosëve të trafikut.
Kjo është policia e Tahirit që sulmon në mënyrë primitive qytetarët, e ndërkohë flak në rrugë 7 oficerë që prekin pa dashje kunatin e ministrit. Krerët e policisë së Tahirit janë sekserët e kanabisit. Krerët e policisë së Tahirit janë në shërbim të habilajve, të Balilit, të Shullazit, të bandave e trafikantëve.

Partia Demokratike vlerëson punën dhe përkushtimin e shumë burrave e grave në uniformë. Koha po vjen që ata të drejtohen nga ligji e interesi publik e jo nga krimi e interesat e tij. Partia Demokratike do të shtypë krimin e trafiqet, do të vendosë dinjitetin e policisë në vendin që meriton, dhe do të garantojë sigurinë e qytetarëve e paprekshmërinë e tyre”, thuhet në reagimin e PD.

Këto pamje vijnë vetëm pak kohë pas aktivitetit ku kryeministri Rama dhe ministri i Brendshëm Tahiri, prezantuan projektin e ri të furnizimit me kartë elektronike të automjeteve të policisë, duke numëruar arritjet në tre vjet pushtet.

Ndër të tjera Ramës tha se puna në polici është histori e sigurte suksesi të qëndrueshëm dhe u adresoi akuzuesve dhe kritikëve shprehjen “qentë le të lehin, karvani të shkojë përpara’.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: