Vijon dhe në Durrës operacioni “Bregdeti ynë”, për lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme.

Procedohen penalisht 7 administratorë subjektesh që kishin zënë hapësirën publike me shezlongë dhe çadra të vendosura pa lejen përkatëse.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës dhe Stacionin e Policisë Plazh, në vijim të kontrolleve në të gjithë vijën bregdetare në territorin e Durrësit, kanë evidentuar dhe proceduar penalisht shtetasit:

L. K., 57 vjeç, B. Ç., 57 vjeç, Ll. M., 54 vjeç, Z. D., 54 vjeç, F. G., 61 vjeçe, B. A., 65 vjeç, banues në Durrës dhe E. K., 25 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit të ushtruar gjatë vijës bregdetare Përroi i Agait-Plepa-Ura e Dajlanit u konstatua se këta shtetas kishin zënë hapësirën publike duke vendosur shezlongë dhe çadra pa lejen e organeve kompetente.

Deri në këto momente janë kontrolluar 80 subjekte, në të cilat janë hequr rreth 478 shezlongë dhe 239 çadra. Policia deklaron se operacioni vijon pa probleme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb