Policia e Fierit ka zhvilluar një aksion në orët e fundit, duke vënë në pranga 7 shtetas për vepra të ndryshme penale.

Gjatë aksionit, policia ka sekuestruar armë dhe municion luftarak, shpallet në kërkim poseduesi i tyre.

Njoftimi i policisë:

•Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, u godit një tjetër rast i shpërndarjes së kanabisit në doza.

Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, u arrestua në flagrancë shtetasi F. V., 31 vjeç, banues në Mbrostar Ura, Fier, pasi pasi gjatë kontrollit fizik shërbimet e Policisë i gjetën një sasi me lëndë narkotike cannabis sativa e ndarë në doza gati për shitje.

•Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier, u ndalua shtetasi A. H., 27 vjeç, banues në Vlorë, pasi ka mashtruar shtetasen A. C., duke i premtuar se do e ndihmonte për të bërë gjyqin e divorcit me bashkëshortin e saj dhe i ka dhënë dy vendime të Gjykatës së Shkallës Parë Fier të dyshuara të falsifikuara.

•Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin N. P., 43 vjeç, banues në Lushnjë pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në automjetin të cilin ky shtetas drejtonte, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e armës së ftohtë një shufër metalike me hapje-mbyllje. Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së 43-vjeçarit u gjet dhe u sekuestrua 1 gjerdan me 14 fishekë gjuetie, 4 thika me këllëf, 1 shpatë me këllëf, dhe 1 thikë flutur.

Po nga këto struktura u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit M. H., 44 vjeç, banues në Lushnjë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në stanin e tij në lagjen “Savër”, Lushnjë, u gjetën 1 armë zjarri automatik, 12 krëhëra pistolete dhe automatiku, 179 fishekë pistolete dhe automatiku, 2 silenciator dhe 1 tytë e montuar, 3 shula automatiku, 1 kallëp tritoli, 1 fitil zjarrpërcjellës, 1 granatë difensive, 2 radio dore marrëse dhënëse.
Gjithashtu, në këtë objekt janë gjetur dhe sekuestruar 42 thasë me fara luledielli, të cilat dyshohen se i ka vjedhur më datën 11.10.2021, në fshatin Gramsh, Lushnjë.

•Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier u arrestua në flagrancë shtetasi L. D., 32 vjeç, banues në Tiranë, pasi në lagjen “Konferenca e Pezës” ka ushtruar dhunë fizike ndaj ish-bashkëjetueses dhe vajzës së saj të mitur.

Po nga këto struktura u arrestua në flagrancë shtetasi G. S., 19 vjeç, banues në Fier, pasi në lagjen “Apollonia”, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij tip “Volkswagen” shërbimet e Policisë kanë gjetur një shkop metalik me hapje(Madalen) në cilësinë e armës së ftohtë.

•Theu masën e sigurisë “Arrest shtëpie” dhe u kap nga shërbimet e Policisë duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, vihet në pranga 42-vjeçari.

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin E. T., 42 vjeç, banues në Lushnjë, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Për këtë shtetas Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier me vendimin e datës 13.07.2021, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Drejtim i mjetit në gjëndje të dehur”.

Po nga këto struktura u arrestua në flagrancë shtetasi A. D., 31 vjeç, banues në Peshtan, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë duke drejtuar automjetin tip “BMW” në gjendje të dehur.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: