Policia dhe burgjet në Luftën e Vlorës – elementë thelbësorë strukturorë të shtetit

Luftëtarët e ’20-ës në Luftën e Vlorës, ishin rraca luftëtare arjane, kasta luftëtare e pamposhtur e Ballkanit, ishin lebër dhe të tjerë shqiptarë të të gjitha trojeve, atdhetarë që luftuan me shpirt dhe egërsisht kundër pushtimit dhe ushtrisë së një prej superfuqive 40 milionëshe të kohës, Italisë. Luftuan me rrobat e trupit jo me uniforma, me armatim të vjetër dhe me fishekë të paktë, luftuan me shpirtin e zjarrtë për lirinë e kombit. Sikurse shkruante arbëreshi Vinçenco Dorsa, “nuk ka qënie dhe luftëtarë më të zgjuar dhe të egër se shqiptari, sidomos kur mbron trojet e tij, askush si ai”. Shqiptarët para një shekulli në Vlorë i thirri misioni fisnik i shtetit të pavarur, gjaku, dinjiteti dhe krenaria kombëtare. Një prej viganëve të atdhetarisë shqiptare ishte Osmën Haxhiu, Kryetari i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” dhe udhëheqësit politik të Luftës kombëtare të Vlorës që bashkë me Qazim Kokoshin, Murat Miftarin, Alem Mehmeti, Hamit Selmani, Duro Shaska, Hysni Shehu, Beqir Sulo Agalliu, Myqerem Hamzarai, Qazim Koculi, Sali Bedini, Ali Beqiri, Hazbi Cano, shkruan epopenë e 1920-tës me devizën e njohur: “O Shqipëri, o gur e hi!”. Komandant i Përgjithshëm i Luftës fillimisht u caktua Major Ahmet Lepenica, i cili pas gjashtë ditëve dha dorëheqjen dhe në vend të tij u zgjodh ish-ushtaraku e senatori Qazim Koculi. Komisar i Përgjithshëm i Policisë së Luftës u zgjodh Shero Emini dhe komandant i Burgut të Vajzës Rexhep Sulejmani. Mbi bazën e vendimeve të mençura të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” u organizua gjykata e luftës me Kryetar Neki Xhenetin, prokuror Rasim Babameto dhe Avdul Kuçi, ndërsa antarë gjyqi Sif Kedhi e Agjah Bej Libohova. Sekretar ishin Meçan Selami nga Kallarati dhe Halim Xhelo nga Tërbaçi. Udhëheqja politike si dhe shtatmadhoria e Luftës përcaktuan rregjim të rreptë dhe të drejtë për mbajtjen e rendit, qetësisë dhe eliminimin e kriminalitetit përgjatë zhvillimit të veprimeve luftarake, me Komisarin e Policisë së luftës djalin e Ramicës Shero Emini. Ushtria, policia dhe burgjet janë elementë thelbësorë strukturorë të shtetit, prandaj edhe përgjatë Luftës së Vlorës në zbatim të vendimeve të Kongresit të Lushnjës, morën masa për ta bërë shtetin shtet në parametra ligjorë e institucionalë që gjatë luftës. Fshati Vajzë grumbulloi rreth njëmijëeshtatëqind robër ushtarakë italianë, që drejtoheshin nga Rexhep Sulejmani (babai i Perlat Rexhepit), bashkë me shumë luftëtarë të tjerë edhe pse nuk kishin shumë dijeni rreth ligjeve ndërkombëtare të luftës, u treguan shumë njerëzorë dhe i respektuan robërit përgjatë gjithë periudhës së luftës. Shqiptarët e njohin fshatin Vajzë si gurgullimë e poezive të poetit të shquar kombëtar Ali Asllani, kështjella natyrore e pathyshme, ndërkohë që drejtuesit e Luftës së Vlorës e përzgjodhën si vendi më i përshtatshëm për grumbullimin e robërve përgjatë luftës tre mujore të Vlorës. Vajza është trualli me moshën e tokës e shquar në histori në një shpat mali-bedenë e një kalaje natyrore. Burgu i Vajzës nuk ishte “shaka” e një realiteti të hidhur ndërluftues, por një realitet historik.

Whatsapp Image 2020 09 07 At 9.24.41 Am
Whatsapp Image 2020 09 07 At 9.24.41 Am

Robërit shqiptarë të luftës, fatëkeq të përbuzur e keqtrajtuar nga pushtuesit italianë
Hulumtimi dokumentar mbi të vërtetat e policisë dhe rolëbrve të luftës është e mbështetur dokumentarisht. Është fakt se robërit e luftës (të internuarit e të syrgjynosurit) për të arrestuarit nga pala shqiptare ka qenë inicuar fillimisht nga italianët të urdhruar nga Gjenerallejtënanti Piaçentini që kërkonte të shuante flakët e urrejtjes që më 16 maj 1920, kur shpalli në mënyrë ultimative gjendjen e jashtëzakonshme duke bërë një varg arrestimesh si Jani Minga, Ali Asllani, Dom Mark Vasa, Hasan Sharra, Muço Sharra, Ali Mihali, Ibrahim Shyti e qindara të tjerë që gjatë gjithë periudhës së luftës arriti në 1460 shqiptarë të arrestuar dhe të dërguar jo në burgjet italiane por në burgun natyror të Grykës së Xhenemit në ishullin e Sazanit. Platforma italiane italiane se nuk ishin robër lufte por “të interrnuar” ishte një dredhi e pushtuesit. Gryka e Xhenemit në Sazanin shqiptar u shndrua në grykën e ferrit, për gjithë robërit shqiptarë të luftës. Por një pjesë e tyre u mbajt edhe në anijet e luftës të italianëve. Një ndër figurat e ndritura të luftës që bëri të minimizohej rrëmbimi i robërve shqiptarë ishte atdhetari At Shtjefën Gjeçovi që vepronte në qytetin e Vlorës në këtë kohë dhe ishte kthyer në mbrojtës i vendosur i qytetarëve të Vlorës nga rrëmbimet e pushtuesve (më vonë Shtjefën Gjeçovi largohet nga Vlora dhe shërben famulltar në Pukë, Shkodër e Prizren). Robërit e luftës u kthyen në “mollë sherri”, ndërkohë që shqiptari nuk e ka për zakon të dhunojë më të vegjëlit, të vobektit dhe të mundurit. Është fakt se komandant e të dy krahëve përllogariten mbi bazën e të dhënave se për çdo ushtar/oficer italian të kapur rob ose edhe të ishte vetëdorzuar kishte një shqiptar të rrëmbyer, përfshi dhe civilët e paangazhuar. Kështu në Gjirin e Vlorës, ndodhej edhe flota italiane me anijet “San Mario”, “Bruceti”, “Dulio”, “Alkina”, “Orion”, torpedinierët “Arcione”, vapori “Loyd Triestino”, ku në disa prej tyre kishte rreth 300 robër të rrëmbyer në qytetin e Vlorës dhe rrethinat e saj. Në një letër që Ministri i Drejtësisë Hoxha Kadria i dërgonte Gjenerallejtënant Settime Piaçentini, ishte në unison me letrën të posaçme, që edhe dhe vetë Kryeministri Sulejman Delvina u dërgoi Ministrave të Punëve të Jashtme të Francës, Italisë, Anglisë dhe Amerikës, në të cilat shkruhej: “..Autoritetet italiane duke mos bërë asnjë dallim midis luftëtarëve nacionalistë dhe qytetarëve pa armë, dmth të banorëve të territorit të pushtuar prej tyre, që kanë qëndruar ndër vatra të tyre e nuk janë përzierë në veprime luftarake, i kanë marrë këta dhe i kanë përqëndruar këta në ishullin e Sazanit, kënd ky i zhveshur nga banesat, drunjët, ujët e pishëm e nga çdo tjetër, për t’i shtrënguar të vdesin, duke i mbajtur si robër lufte, megjithëse ekzistenca dhe liria e qytetarëve të paarmë është një parim i pranuar nga e drejta ndërkombëtare… Kanë marrë gjithashtu gratë dhe fëmijët duke i grumbulluar ata në spitalin civil, fare afër zonës së zjarrit, pa marrë në konsideratë as moshën e tyre.. të burgosurve nuk u japin veçse një copë bukë të thatë… Dhunimet kalojnë çdo cak hyjnor e njerëzor duke zbrapsur drejt barbarisë. Letra parashikonte mençurisht edhe thyerjet flagrante të “artikullit 38 të Brukselit” (Ins. Amerikan, artikulli 22 dhe 23 i Manualit të Oksfordit; artikulli 49, rregullorja e Hagës, artikulli 46. Letra kishte marrë shkas nga mos respektimi i asnjë konvente ndërkombëtare të deriatëkohshme, dhe mosnjohja e mosrespektimi i rregullave të luftës. Nga ana tjetër kemi dy trajtime të robërve. Shqiptarët që ndoshta pjesa më e madhe nuk i njihte rregullat e luftës dhe të drejtat e robërve sipas konventave ndërkombëtare. Por shqiptarët në lidhje me trajtimin e robërve, kishte forcën e moralit dhe aspektet kanunore të mirëtrajtimit të tyre. Ndërsa pala pushtuese në një farë mënyre u hakmor për humbjet njerëzore e materiale dhe për më tepër humbjen e fuqisë pushtuese. Një ndër faktet më domethënëse është se truri drejtues politik dhe ushtarak i Luftës ë Vlorës përveç krijimit të policisë së luftës, krijoi edhe sistemin e burgjeve të luftës me robërit oficerë e ushtarë të ushtrisë pushtuese italiane të kapur gjatë luftimeve ose të dorëzuar. Policia e luftës komandohej nga profesionisti Shero Emini dhe disa ditë pas fillimit të luftës në funksione të policimit të luftës dhe ruajtjes së qetësisë dhe Major A. Lepenica. Ndërsa burgu-kamp natyral i Vajzës komandohej nga Rexhep Sulejmani.

Fshati Vajzë i traditës, mençurisë dhe mirëtrajtimit të të burgosurve italianë më 1920
Zgjedhja e fshatit Vajzë si “burgu natyror”, për robërit italianë nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” e Osman Haxhiut, por bashkarisht edhe me Këshillin e Ushtarakëve akademikë ishte një zgjidhje optimale për situate luftarake. Por përse u zgjodh “Vajza”, për burgun e italianëve? – Gjithë oficerët e ushtarët e zënë robër dërgoheshin në Vajzë sepse këtë kamp e kishin ngritur vetë italianët, ndodhej pranë Kotës, në mes të rrugës Vlorë-Gjirokastër, ishte në mes të fshatit, kishte klimë të shëndetshme, “..këtu shumë prej italianëve kishin banuar edhe më parë dhe ishin si në shtëpi të tyre pasi i kishin të gjitha komoditetet, me të cilat ushtari italian, si kolonizator i lindur, rrethohet pa vonesë kudo që ngulet, qoftë edhe për një kohë të shkurtër” (A.Agaj); Uji, klima, banesat ishin të mira, komandanti i ri i kampit ishte edhe më i mirë e i njohur për sjellje të urta e të buta e plot ndërgjegje. Shqiptarët nuk i shanin, rrihnin ose vrisnin, përkundrazi kishin sjellje bujare të pashoqe. Edhe kur ndonjë rob rebelohej, shante ose revoltohej, sjellja shqiptare ishte e duruar. Kurrë në tre muaj lufte ndonjë lab nuk ngriti dorë kundër robërve, as ja ktheu sharjeve. Sipas dëshmisë okulare të kohës, “..në kampin e Vajzës robërit ishin plotësisht të lirë, hynin e dilnin nëpër fshat, përhapeshin nëpër fshatra të tjerë e ktheheshin në darkë në folenë e tyre. Italianët këtë sjellje të shqiptarëve nuk e kuptonin, sepse vetë ishin mësuar të silleshin keq e t’i linin të vdisnin urie robërit e tyre austro-hungarezë. Robërit italianë përdoreshin prej fshatarëve të Vajzës edhe për punë sic ishin korrja e të lashtave në fshatrat përreth Vajzës, pasi të zotët ndodheshin në luftë dhe gjithë bereqeti ishte nëpër ara. Për herë të parë në historinë e luftave në truallin shqiptar kemi një trajtim krejtësisht të civilizuar dhe me tipare të plota njerëzore. Në ditët e para të fillimit të Luftës së Vlorës dhe pikërisht disa ditë pas fillimit të luftimeve një delegacion i Qeverisë së Tiranës i kryesuar nga Ministri Spiro J. Koleka mbriti në fshatin Vajzë. Ishte data 9 qershor kur KMK-ja kishte bërë ultimatiumin e dytë ndaj Gjenerallejtënantit Settimo Piaçentinit, ku i kërkohej që ushtria italiane të hiqte dorë nga lufta dhe sidomos nga masakrimi i banorëve të qytetit të Vlorës dhe fshatrave përreth, por edhe ndaj shqiptarëve të rrëmbyer e të burgosur padrejtësisht. Pra ka qenë data 1 korrik 1920, kur Spiro Koleka, Prefekti i Drashovicës Qazim Kokoshi dhe anëtarët e Komitetit të fshehtë “Mbrojtja Kombëtare” Hazbi Cano e Myqerem Hamzaraj nga Drashovica shkuan në Kotë dhe vizituan të plagosurit e luftës. Këtu ekipi drejtues është pritur nga doktori Shezai Çomo, ku u bisedua për kujdesin për të plagosurit e palës sonë por edhe të palës italiane. Ndërsa të rënët dëshmorë varroseshin “ku i zinte balta” (për t’u grumbulluar pas lufte). Ndërsa të vrarët italianë varroseshin nga vetë robërit italianë sipas udhëzimeve të KMK-së. Pas Kotës përfaqësia e grupit më të lartë drejtues të Luftës kombëtare të Vlorës shkuan bashkarisht në kampin-burg të të burgosurve italianë në rrethinat e fshatit Vajzë. Porosia e qeverisë së Sulejman Delvinës si dhe e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” e Osman Haxhiut për italianët e kapur ose vetëdorzuar si robër të luftës ishte: trajtimi i tyre me dinjitet, me robërit të kishte sjellje të mirë, të trajtoheshin njerëzisht, dhe sipas praktikave të zakoneve shqiptare, duke i trajtuar jo si armiq por “në besë të shqiptarit”. Përfaqësuesit më të lartë u kujdesën tek organet drejtuese dhe ruajtëse të burgut që robërit italianë të kishin njaftueshëm ushqime, ilaçe e veshmbathje. Fillimi i muajit korrik pati zhvillime, të cilat mësoheshin dhe dëgjoheshin me vëmëndje të madhe edhe nga robërit e luftës. Kështu Kriministri Italian G. Xholiti, kishte deklaruar në parlament se “hiqte dorë nga mandate mbi Shqipërinë dhe pranonte pavarësinë e plotë të saj”, por nën preteksin e sigurisë në Adriatik kërkonte të mbante tre pika strategjike Sazanin Karaburunin si dhe Pashalimanin. Për këtë në Shqipëri vjen baron Alioti, i cili takohet me Piaçentinin në Vlorë dhe në Durrës mbrin në 3 korrik, dhe më tej vijon diskutimet me qeverinë e Tiranës duke kërkuar marrëveshje por duke mbajtur disa pika strategjike në gjirin e Vlorës. Ndër katër pikat e propozuara në të katër takimet e baronet Alioti në bisedimet e 4 korrikut 1920, me Spiro Koleka, Ahmet Mati dhe Nuri Villa dekonspirohen nga gazeta italiane “Corriere dela Serra” të datës 14 korrik 1920. Thelbi i marrëveshjes ishte: “Italia të zbrazë Vlorën dhe dorëzojë administratën në duart e Qeverisë së Tiranës; Qeveria të pushojë kryengritjen në Qarkun e Vlorës; Robërit italianë të zënur prej kryengritësve do të dorëzohen në Komandën e Italisë me nderime ushtërore dhe një komision i përbashkët italo-shqiptar ka për të marrë pjesë në zbrazjen e Vlorës”. KMK-ja e vendosur, por edhe qeveria “S. Delvina” kundërshtoi energjikisht më 5 korrik që italiani të mbante pika strategjike në Vlorë. Më 10 korrik Baroni Italian sërish në Vlorë, “për t’i blerë mendjen” KMK-së, ku ra në kontakt me udhëheqësit e KMK-së nëpërmjet Ulise Bosio dhe një ushtaraku të marinës luftarake; (shih A. Baldacci, Studi speciali albanesi, vol III, Roma, 1937,f.36). Fakt është se kjo është një periudhë kur robërit e luftës po shtoheshin në të dy kampet dhe përafërsisht sa ushtarakë italianë kishte robër në Vajzë po kaq kishte robër edhe nga shqiptarët robër dhe të çuar në Grykën e Xhenemit në Sazan. Në këtë periudhë KMK-ja që ishte truri drejtues politik më i lartë i luftës merr vendim dhe ja dërgon me një letër baronet Aliotti, ku në thelb shkruanin se: “.. nuk pranojmë që as në siujdhesën e Sazanit të qëndrojë këmbë ushtari italian”. Acarimi ishte i lartë që ndihej edhe në të dy burgjet e kundërshtarëve. Më 17 korrik 1920 lëshohet urdhëri nga shtabi më 12 gjeneralë i Piaçentinit: “…jemi dhe do të qëndrojmë në Vlorë..”, duke e shoqëruar këtë urdhër me një mësymje të përgjithëshme në drejtim të kryengritësve, dhe me forca e mjete të shumta edhe në drejtim të aksit Drashovicë-Kotë-Vajzë, por që në fakt rezultoi një dështim i plotë, sepse shqiptarët të vendosur natën e 23 korrikut dhanë kundërmësymjen më të fuqishme dhe më të papërballueshme nga italianët duke i detyruar të struken në pikat afër bregdetit të Vlorës në pritje të urdhërave “për të mbathur opingat”.

Whatsapp Image 2020 09 07 At 9.24.41 Am (1)
Whatsapp Image 2020 09 07 At 9.24.41 Am (1)

E vërteta për robërit e burgut të Vajzës dhe sjellja kalorësiake e fisnike e shqiptarëve
Fakt është se historia ndodh vetëm një herë, por shkruhet dhjetra herë. Megjithatë e vërteta është vetëm një, ndërkohë kur këndshikimet janë të shumta. Luftën në Vlorë dhe të vërtetat e saj sado që i “burgoste” një shtet i madh 40 milionësh, shqiptarët kanë një maksimë proverbiale që i kapërcen shekujt, “nuk mbulohet dielli me shoshë”. Opinioni europian kërkonte informim dhe një grup gazetarësh italianë, gjermanë, francezë etj., shkuan në frontin e luftimeve në Drashovicë, por edhe u takuan me komandantin e burgut Rexhep Sulejmani si dhe drejtpërdrejtë me robërit italianë në Vajzë. Gazeta “La Tribuna” botoi një intervistë të gazetarit amerikan të famshëm për kohën Hiram K. Moderwell, i cili ishte gazetar i “Daily New” i Çikagos. Gazetari amerikan Moderwell kishte shkuar në Burgun e Vajzës ku ruheshin rreth 1700 oficerë e ushtarë italianë dhe kishte shprehur habi që ishte lejuar pa asnjë pengesë për takim dhe bisedim të lirshëm me robërit e burgosur si dhe mësoi shumë mbi trajtimin e tyre. Edhe pse ata ruheshin në “telat me gjëmba”, që vetë italianët i kishin sjellë në Shqipëri, të burgosurit ndjeheshin të lirë. Gazetari që u pa sy më sy me robërit italianë dhe që bashkëbiseduan shtruar në garnizonin e robërve italianë në Vajzë. Ja çfarë shkruante një shekull më parë gazetari amerikan: “…shqiptarët silleshin kalorësisht me robërit italianë dhe lëvdoi shumë ndjenjat kombëtare dhe njësinë e mendimeve që mbretërojnë sot në Shqipëri..” (gazeta “Kuvendi”, Romë 13.7.1920.). Por artikujt e gazetarëve amerikanë dhe europianë në këtë periudhë ishin të shumtë duke u shndruar syri dhe veshi europian dhe amerikan për kohën, sikurse intervistat me Ministrin pa protofol të qeverisë “S.Delvina”, që mbronte kauzën e së vërtetës në një kohë të madhe rreziku. Gazetarët euro-amerikanë u detyruan që të përgënjeshtronin vetëveten si dhe të pohonin me vërtetësi se çfarë ndodhte me robërit italianë në fshatin Vajzë të Vlorës. Gazetarët patën rast të takonin njerëz të shkolluar, mjaft inteligjentë e drejtues lufte, që ishin në të drejtën e tyre. Ata takuan dhe njohën edhe “shqisën e gjashtë” të komandantëve lebër në luftime, që dinin të gjenin saktësisht orën dhe minutën ekzakte të sulmit, mbrojtjes, dhe rrëmbimit të robërve potencialë. Në shtypin europian në korrikun e 1920-tës vetëm një muaj pas fillimit të veprimeve luftarake çlirimtare erdhën artikuj informativë të kronikanëve të luftës që përgënjeshtruan kronikat e mëparshme për mjerimin e robërve italianë në Shqipëri. Krejtësisht e kundërta ndodhte me të rrëmbyerit dhe të burgosurit shqiptarë që ishin jo në Itali por në tokë dhe det shqiptar, në burgun natyror të grykës së Xhenemit ku ishin të burgosur (të internuar sipas italianëve) 1460 shqiptarë si dhe rreth 300 të tjerë që ishin në anijet italianë që gjendeshin në ujërat tona territorial në gjirin e Vlorës (në dokumentet italianë evidentohen 200 robër). Mbi bazën e të dhënave dokumentare të deritanishme as gazetarët italianë nuk kishin mundësi ta preknin ferrin e Grykës së Xhenemit dhe as të shikonin keqtrajtimin e robërve shqiptarë për të cilin kishin ngritur zërin dhjetra herë personalitete shqiptare, por dhe gazetarë shqiptarë brenda e jashtë atdheut. Këtu përfshihen edhe të ngarkuarit nga KMK-ja si Komision i jashtëm që punonte për Shqipërinë nga Korfuzi si Hamza Isai –kryetar, Eshref Dano dhe Naqe Konomi, që ishin të ngarkuar që zhvillimet e Luftës së Vlorës t’ja bënin të ditur diplomacisë europiane. Kësaj i shërbenin edhe shkrimet në “La patria”, “Epoka”, “Resto del Carlino”, “Petit Marseillai”, “Avanti”, “Kuvendi”, “Popolo dÍtalia”, pavarësisht rezervat e redaktimet, si dhe gazetat “Drita” të Veli Harshovës Gjirokastër, “Kuvendi” “Dielli” të Bostonit etj. Qeveria dhe KMK-ja nëpërmjet Spiro Kolakës si dhe anëtarëve më të lartë të “Komisioni”, hapi dritën jeshile Kryqit të Kuq amerikan që ndihmoi në shuarjen e plagëve të mëdha të luftës jo vetëm në Drashovicë e Kotë por edhe në garnizonin-burg të fshatit Vajzë, ku ishin një masë e konsiderueshme robërish të vetëdorzuar ose të kapur në luftime gjatë Luftës së Vlorës. Fakt është se nga kundërmësimja e përgjithëshme e sukseshme shqiptare e 23 korrikut 1920, që vendosi një vijë të re luftimesh duke zbrapsur ushtrinë italianë nga Xhamia e Plumbit në Skelë, duke i vendosur italianët në pozitat luftarake më të keqe të mundshme. Tek robërit e të dy kampeve shikoheshin drita shprese, sepse italianët duke parë gjendjen tragjike dhe në prag katastrofe, qeveria e Xholiotit hodhi poshtë marrëveshjen Titoni-Venizello të 29 korrikut 1919, tërhoqi baron Aliotti nga Tirana dhe dëgoi kontin G. Manzoni për bisedime të reja. Bisedimet për nënshkrimin e kapitullimit Italian dhe nënshkrimin e paqes u bënë mes Ministrit S. Koleka dhe kontin G. Manzoni më 29 korrik 1920, bisedime që zgjatën deri më 2 gusht 1920, ku Kryeministri S. Delvina dhe konti G. Manzoni nënshkruan Protokollin midis dy qeverive të Tiranës dhe të Romës. Me këtë rast në axhendën e aktivitetit bashkëpunues të protokollit u zgjidh edhe cështja e robërve të luftës.

Policia e Luftës së Vlorës një shekull më parë – profesionale dhe e suksesshme
Policia e Luftës ishte një zgjidhje e mencur i KMK-së. Përgjatë gjithë periudhës së luftës tregoi angazhim serioz dhe profesionalizëm, eleminim të krimeve dhe ruajtjen e qetësisë publike. Edhe gazetarët ndërkombëtare që erdhën në korrik 1920 njohën dhe panë veprimin energjik dhe profesionalizëm e Policisë së Luftës që komandohej nga Shero Emini, të kudogjendur në ndihmë të fshatarsisë së zonës së luftës, të karvaneve me ushqime, armë e municion që vinin e ktheheshin, të ruajtjes së qetësisë dhe sigurisë ditën e natën, të patrullimit, të komunikimit të vazhdueshëm me KMK-në dhe Shtabin e luftës, të lejimit të takimeve që bënte Ulise Bozio dhe një marinar italian si të dërguarit e Piaçentinit me drejtuesit politikë e luftarakë të luftës, të kapjes dhe çuarjes përpara gjykatës së luftës të tradhëtarëve dhe sabotatorëve të luftës, apo të infiltruarve italofilë në radhët e luftëtarëve apo që mund të vepronin si “mbështetës” të luftës si dhe dhjetra detyra të tjera. Policia e luftës zgjidhi një sërë detyrash të tjera si në mbrojtje artilerinë e Luftës, që ishte zënë pushtuesve, mbrojti munisionet, depot, mitralozat, magazinat e ushqimeve, siguroi spitalin e Kotës. Ekspertiza e Policisë së luftës në funksione edhe xhandarmërie e milicie ishte një ndihmesë e drejtpërdrejtë si faktor mbështetës fitoreje.

Whatsapp Image 2020 09 07 At 9.24.41 Am (2)
Whatsapp Image 2020 09 07 At 9.24.41 Am (2)

Shkëmbimi i robërve, përfundimi i luftimeve si modalitete protokollare të fundluftrave
Edhe pse nga grypa e pushkëve, mitralozave e topave ende vinte era barot ishte pragu i paqes së pritshme. Në tetë pika të protokollit, që të gjitha ishin thelbësore sepse lejonin që Vlora të bashkohej me “Shqipërinë londineze”, duke përmbushur dëshirën e mbarë shqiptarëve. Por protokolli kishte dy pika në interes të robërve të Vajzës dhe ishullit të Sazanit. Pika 6, “Të dyja palët të bëjnë një amnisti” dhe pika 7 “të gjithë shtetasit italianë dhe shqiptarë të arrestuar liroheshin brenda afatit të zbrazjes së Vlorës”, këto dy pika pasoheshin me pikën 8 të protokollit “Ky protokoll do të mbahej i fshehtë”, sepse “dardha e kishte bishtin prapa”, që italianët ta mbanin ishullin deri kuru a rrëmbyen gjermanët në shtator 1943 ndërsa do të ngelej tokë e robëruar deri më 22 tetor 1944, kur partizanët e BrXIIS e rimorën atë përfundimisht në administrimin shqiptar. Gushti i vitit 1920 u shndrua në muaji i paqes së brishtë, por gjithësesi me armët në gatishmëri, sepse mirëbesimi kishte brenda dyshimin mbi pabesinë. Robërit italianë, që ishin familarizuar me fshatarët e Vajzës, ishin shndruar si bijtë e tyre, por mendja e zemra e tyre ishte në vendlindje matanë detit. Përfundimi i luftimeve dhe nënshkrimi i protokollit të 2 gushtit 1920 ishte shpresë gëzimi se do të shkonin pranë familjeve të tyre. Disa prej tyre kishin ardhur nga garnizone të ndryshme italiane si “mysafirë” në një “kazermë” shqiptare në Vajzë. Luftëtarët e çetave të Fushëbardhës të Novruz Bello e Zhulatit të Mersin Gjoçës, të vëllezërve komandues me një nënë Lufto Kondi dhe Aliko Aliko, por dhe shumë çeta të tjera nga Tepelena, Gjirokastra e gjithë Labëria kishin çuar robërit italianë nga Tepelena në Vajzë. Por këtu ishin edhe robërit nga garnizonet e Matohasanit, Kotës, Drashovicës, Llogorasë, Kaninës, Vajzë, Dukat, Penkovë, etj. Angazhimi i çetave shqiptare edhe në mbarëvajtjen e veprimtarisë për robërit e luftës vinte pas kryerjes me sukses të veprimeve për eleminimin e garnizoneve italiane sipas përcaktimit të shtabeve politike dhe luftarake të KMK-së të Luftës së Vlorës. Angazhimi i mëtejshëm në Vajzë, ku ishte kampi i robërve italianë e më tej në veprime luftarake të drejtëpërdrejta i shndruan luftëtarët shqiptarë në fisnikërinë e kohës dhe në aristokratët e luftës, me sjellje njerëzore, si të ishin njohës të legjislacionit ndërkombëtar. Protokollet ndërkombëtare “mbi robërit e luftës”, u bënë jo rrallëherë tema e bisedave të djemve të shkolluar shqiptarë brigjeve të fshatit Vajzë, por dhe në frontin e çeliktë të luftës pakompromis të shqiptarëve.

Zona neutrale tampon, finalizimi i marrëveshjes për robërit dhe burgjet në Vlorë
Nga dokumentat e Luftës së Vlorës në lidhje me robërit e të dy palëve gjejmë dokumente që flasin qartë në lidhje me pikën e parë të “Protokollit”, që, “çështjet e të dyja vendeve do të zgjidheshin nga një komision i përbërë prej italianësh dhe shqiptarësh. Për këtë më 8.8.1920 dhe ditët që pasuan Ministri S. Koleka dhe kolonel Kostoldi u takuan shumë herë në lidhje me zbrazjen e Vlorës dhe sidomos për lirimin e të burgosurve të Vajzës si dhe të burgosurve dhe të internuarve të Grykës së Xhenemit në Sazan dhe të burgosurve shqiptarë që mbaheshin në anijet e luftës italiane në gjirin detar të Vlorës. Në mbrëmjen e 15 gushtit dhe mëngjesin e 16 gushtit 1920, elita politike dhe ushtarake e Luftës së Vlorës respektuan marrëveshjen mbi bazën e Protokollit të nënshkruar në Tiranë. U realizua zbrazja e zonës neutrale nga vija e pozicioneve të zjarrit, ku forcat kryengritëse ishin në pozicione shumë dominuese mbi Vlorë. Tërheqja u krye deri në brigjet lindore të lumit Shushicë, ku përqëndrimet maksimale ishin në Drashovicë. Operacionin mbykqyrës nga pala shqiptare e drejtonte nga Xhandarmëria shqiptare kapiten Ferid Frashëri dhe toger Tosun Selenica, të ngarkuar nga qeveria e Tiranës. Kishte ardhur “ora e Shqipërisë së përbashkuar në një shtet të unifikuar”. Prova e ecurisë së marrëveshjes nisi me mëngjesin e datës 17 gusht, kur një trupë ushtarake thirri emrat e personaliteteve të Vlorës të burgosur në grykën e Xhenemit (200 metra në jugperëndim të godinës së komandës së Ishullit të Sazanit). Ishin 24 të burgosur shqiptarë, ku midis tyre ishte mësuesi Jani Minga, Poeti ynë kombëtar Ali Asllani, Dom Mark Vasa, Ibrahim Shyti, Muço Sharra, Hasan Sharra, Ali Mihali, Hasim Kokoshi, Haxhi Murati, Ahmet Nure, Ali Kreshpani, Mehmet Radhima, Avokatët Taip Peshkëpia, Behxhet Shpati dhe Asaf Çipi, etj. Ata zbritën të lirë monopatit që zbret për tek porti i Sazanit. Hipën në një motovedetë italiane dhe i zbarkun në skelën e Vlorës, ku i priste një makinë dhe xhandarmëria shqiptare, e cila i shoqëroi menjëherë për në Drashovicë. Ish-dëshmimtarë okularë kanë folur, shkruar dhe më shumë kanë përcjellë brez pas brezi entusjazmin që janë pritur lirimi i 24 të burgosurve të parë dhe me të njejtën makinë janë përcjellë drejt skelës së Vlorës 24 robërit e parë të gradave më të larta ushtarake drejt skelës së Vlorës (lirimi i të burgosurve ishte i barasvlefshëm si fillim). Po në datën 17 gusht 1920 është edhe dita e parë që nisi transportimi i trupave ushtarake drejt Italisë. Më 18 gusht dhe për dy javë, në ditët në vijim u realizua lirimi i mbi 1700 robërve italianë të luftës duke u përcjellë me dinjitet nga komandanti i kampit Rexhep Sulejmani dhe stafi i tij, Policia e luftës e komisar Shero Eminit, përforcime luftëtarësh të cetave, por edhe nga strukturat politike e ushtarake të Luftës së Vlorës. Nga ana tjetër edhe italianët realizuan kthimin e 1460 të burgosurve të burgut të grykës së Xhenemit si dhe rreth 300 të burgosurit që mbaheshin në anijet luftarake italiane.Veprimtaria e ushtarakëve sidomos e xhandarmërisë shqiptare në fazën finale të Luftës Kombëtare të Vlorës, meriton të vlerësohet dhe të nxirren të vërtetat, sepse luftëtarëve, drejtuesve dhe ushtarakëve pjesëmarrës u takon aureola e përjetësisë, sepse Atdhedashuria nuk është profesion por ndjesi kombëtare dhe “..një ish-ushtar i Atdheut është gjithmonë ushtar i Atdheut edhe kur shuhet”. Historiografia është kursyer për të shkruar sa e si duhet për Ahmet Lepenica, Ali Beqir Velça, Avdurraman Çiraku, Kanan Maze të tre të diplomuar në Akademinë Ushtarake në Stamboll, Azis Çami i diplomuar në Akademinë Ushtarake në Torino, Itali, Qazim Koculi i diplomuar në Akademinë Ushtarake të Marinës në Stamboll, Shero Emini diplomuar në Akademinë Ushtarake në Vjenë, Austri; sikurse edhe oficerët kapiten Mehmet Fega-Xhelili komandant i çetës së Sevesterit, kapiten Toto Hosi, komandant i çetes së Bolenës; toger Kanan Maze, komandant i çetës se Shkozës; artilieri Ali Beqir Xhuveli; Major Adem Riza Hoxha, komandant nga Kavaja, kapiten Ferit Frashëri komandant i çetës së Korçës etj., oficerë karriere të shquar në jetën ushtarake, shoqërore e familjare, por mbi të gjitha për shërbime të shquara ndaj kombit shqiptar. Heroizmin dhe trimëritë shqiptare në të gjitha frontet e luftës u shkruan edhe vetë italianët pas luftës, në publikime të ndryshme, përfshi këtu edhe trajtimin e robërve italianë, por këtë realitet historik e zhduku me urdhër Musolinit, pas ardhjes në pushtet, edhe pse miqësia qëndron në zemër të popujve. Sipas Ago Agaj, që i referohej fundgushtit e pragfitores së 3 shtatorit 1920, “pak ditë më parë ishin liruar dhe të gjithë ushtarakët italianë të zënë rob prej shqiptarëve dhe të syrgjynosurit tanë në Sazan dhe ishin sjellë në shtëpirat e tyre në qytet dhe ushtarakët italianë në skelë për tu imbarkuar në anije për t’i çuar në Itali…”, edhe pse pas 19 vjetësh ushtria italianë erdhi sërish më 7.4.1939, për “të marrë hak” për 1920-ën dhe për realizimin e objektivave gjeostrategjike dhe gjeopolitikë në Ballkan.

(Me rastin e 100 vjetorit të Luftës së Vlorës, në përkujtim të 3460 robërve shqiptarë dhe italianë të të dy kampeve ndërluftuese, që ishin izoluar përkatësisht 1700 oficerë e ushtarë italianë në Vajzë të Vlorës dhe 1460 shqiptarë të izoluar në Grykën e Xhenemit në Sazan ndërsa 300 robër në anijet luftarake italiane).

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: