Ka rezultuar fals alarmi për bombë, që alarmoi qytetin e Elbasanit. Mësohet se ekspertët e fushës së eksplozivëve kanë bërë të mundur hapjen e kontrolluar të pakos së dyshimtë, prej ku ka rezultuar se brenda pakos nuk kishte lëndë plasëse.

Më herët, gazetari Fatmir Popja raportoi për “BalkanWeb” se pakoja ishte vendosur në një nga rrugët kryesore të qytetit, përkatësisht në segmentin që lidh bulevardin kryesor me Drejtorinë e Policisë.

Siç raportoi gazetari Popja, pakoja ishte pikasur rastësisht nga kalimtarët. Ata kishin dëgjuar një zhurmë dhe më pas kishin parë pakon e dyshimtë të vendosur në rrugë.

Menjëherë ka mbërritur në vendngjarje edhe policia, e cila ka evakuuar gjithë zonën. Në vendngjarje kanë mbërritur ekspertë të fushës së eksplozivëve, si dhe një shërbim zjarrfikës, të cilët kanë bërë të mundur hapjen e kontrolluar të pakos.

Nga ana e saj, policia ka vendosur një perimetër të gjatë sigurie, ndërsa në pamjet që gazetari Popja sjell në redaksinë e “BalkanWeb” shihen ekspertët duke punuar për shpërthimin e kontrolluar të lëndës plasëse.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb