Në kuadër të luftës kundër shkatërrimit dhe mbrojtjes së Malit të Tomorit nga subjektet që ushtrojnë veprimtari të paligjshme në këtë territor, Drejtoria Vendore e Policisë Berat në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Skrapar, ka ndërmarrë një operacion në të gjithë malin.

Në kuadër të këtij operacioni është arrestuar 33-vjeçari M.S., banues në Berat. Ai është kapur nga forcat e policisë në fshatin Novaj në Skrapar duke qarkulluar me mjetin me targa AA 2350 P, të ngarkuar me pllaka guri dekorativ, në kundërshtim me ligjin.

Po kështu policia konfirmon se në kuadër të këtij operacioni ka shpallur në kërkim edhe shtetasin me iniciale L.L., banues në Tiranë. Nga ana e policisë po punohet për kapjen e këtij shtetasi, ndërkohë që konfirmohet zyrtarisht se policia po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që vijojnë të punojnë në mënyrë të paligjshme në Malin e Tomorrit duke shfrytëzuar zonën e Novajt për nxjerrjen e gurit dekorativ.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Materialet në ngarkim të tyre i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprën penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”.

Prej disa muajsh firmat e nxjerrjes së gurit dekorativ në Malin e Tomorit kanë punuar natën dhe në fshehtësi për nxjerrjen e pllakave të gurit në Novaj. Por prej datës 19 dhjetor 2019 të gjitha firmave të gurit në Malin e Tomorrit u janë hequr licencat dhe prej asaj dite ata quhen “të kundraligjshëm” në ushtrimin e këtij aktiviteti. Prej muajsh forca të shumta policie kanë qenë çdo ditë në të gjitha rrugët hyrëse dhe dalëse, në malin e Tomorrit për të ndaluar punën e firmave të nxjerrjes së gurit dekorativ që kanë pretenduar se duhet të vijojnë punën pasi fituan gjyqin në Gjykatën Administrative.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb