Tre shtetas janë vënë në pranga nga Policia e Krujës. Dy të rinj nga fshatrat Thumanë dhe Muriqan kanë përfunduar pas hekurave pasi gjatë kontrollit të uniformave blu iu është gjetur lëndë narkotike e llojit kanabis.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë referuan materialet në Prokurori për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, për shtetasit M. J., 26 vjeç, L. T., 27 vjeç, banues në Thumanë dhe Muriqan, Krujë, pasi gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, iu gjetën dhe iu sekuestruan sasi të vogla lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa”, njoftojnë unfiromat blu.
Ndërkohë personi i tretë, një 34-vjeçar ka përfunduar në pranga pasi i janë gjetur në posedim dy thika.
“Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin Krujë u referuan materialet në Prokurori, për shtetasin F. S., 34 vjeç, banues në Aramaras, Krujë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 2 mjete prerëse (thika)”, bëhet me dije në njoftim.