Policia e Kukësit arreston tre persona dhe shpall në kërkim një të katërt që jo vetëm kanë kundërshtuar urdhrin e punonjësit të policisë por edhe i kanë kanosur ata për shkak të detyrës.

Gjithçka nisi në aksin rrugor Krumë-Letaj, kur policët kanë konstatuar dhe i kanë bërë shenjë për ndalim, drejtuesit të një kamioni pa targa, i cili ishte i ngarkuar me material kromi në dukje.

Punonjësit e Policisë i kanë kërkuar drejtuesit të mjetit Arben Dauti dokumentacionin e mjetit dhe të ngarkesës, por ai i ka kundërshtuar punonjësit e Policisë dhe nuk ka dhënë asnjë dokument. Në këto kushte punonjësit e Policisë e kanë shoqëruar, për t’i bllokuar mjetin në ambientet e Komisariatit të Policisë Has.

Gjatë shoqërimit për veprime të metejshme në Komisariatin e Policisë Kukës, familjarët e Arben Dautit konkretisht vëllezërit Bledar Dauti, Dritan Dauti dhe kushëriri i tij Bardhyl Dauti janë konfliktuar dhe kanë kanosur punonjësit e Policisë, me qëllim që të mos bllokonin kamionin.

Me ardhjen e forcave të tjera të Policisë në ndihmë është bërë shoqërimi i shtetasve në ambientet e Policisë dhe në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Kukës bënë arrestimin në flagrancë të tyre, konkretisht:

Bledar Dauti 30 vjeç, Arben Dauti, 33 vjeç dhe Bledar Dardhyl 34 vjeç, banues në Golaj.

Si dhe u shpall në kërkim policor shtetasi Dritan Dauti, 36 vjeç, njëri prej vëllezërve të drejtuesit të kamionit.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, ndërsa nga ana e Policisë rrugore vijojnë veprimet për bllokimin e kamionit.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, ”Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, kryer në bashkëpunim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: