SHKODËR

Policia e Shkodrës njofton qytetarët e saj për mënyrat e marrjes së lejes së daljes apo për lëvizjen krahas kufizimeve për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Në njoftimin e policisë thuhet se duke nisur nga dje të gjitha autorizimet e dhëna në funksion të biznesit apo institucioneve, për mjetet e përdorimit vetjak 4+1 do të përdoren nga i autorizuari vetëm në destinacionin shtëpi – punë dhe punë – shtëpi.

Ashtu si në gjithë vendin, të autorizuarit lejohen për të shkuar nga banesa në drejtim të qendrës së punës nga ora 5:00 deri 8:00 dhe nga ora 16:00 deri në orën 17:30 për t’u kthyer në banesë, pavarësisht se kanë autorizim për lëvizje pa limit. Lëvizja e tyre jashtë kësaj fashe orare do të ndëshkohet konform akteve në fuqi.

Njoftim për komunitetin e Qarkut Shkodër
Duke falënderuar komunitetin e Qarkut Shkodër, për mirëkuptimin në këtë moment kritik dhe zbatimin e masave kufizuese të qarkullimit të mjeteve dhe personave, Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dëshiron të bëjë edhe një njoftim të rëndësishëm për ndryshimet e ndodhura së fundmi në rregullat dhe orarin e qarkullimit të mjeteve dhe të personave:

1. Duke filluar nga data 14.04.2020, të gjitha autorizimet e dhëna në funksion të biznesit apo institucioneve, për mjetet e përdorimit vetjak 4+1 do të përdoren nga i autorizuari vetëm në destinacionin shtëpi – punë dhe punë – shtëpi.
2. Të autorizuarit lejohen për të shkuar nga banesa në drejtim të qendrës së punës nga ora 5:00 deri 8:00 dhe nga ora 16:00 deri në orën 17:30 për t’u kthyer në banesë, pavarësisht se kanë autorizim për lëvizje pa limit. Lëvizja e tyre jashtë kësaj fashe orare do të ndëshkohet konform akteve në fuqi.
3. Nuk do të pengohen mjetet e transportit të mallrave të çfarëdo lloj kategorie qofshin, pra janë të lira për të lëvizur gjatë gjithë kohës.
4. Qytetarët që mund të kenë një emergjencë të caktuar shëndetësore, duhet të telefonojnë në numrin 112 ose 129, për të bërë njoftimin e targës dhe të destinacionit ku do të lëvizin në mënyrë që të mos pengohen.
5. Policia e Shtetit, në faqen zyrtare të saj www.asp.gov.al, ka publikuar një aplikacion me emërtimin “Covid-19″ – Lëvizja e kontrolluar me mjet!”.
6. Të gjitha vetëdeklarimet, kërkesat për autorizime personale apo autorizime biznesi do të kryhen nga faqja zyrtare e Policisë së Shtetit, nëpërmjet këtij aplikacioni.
7. Për pajisjen me autorizim të ri, qytetarët duhet të plotësojnë njërin nga “deklarimet” e vëna në dispozicion: Vetëdeklarim, Autorizim Personal ose Autorizim Biznesi, duke klikuar në linkun http://autorizime.asp.gov.al.
8. Gjatë aplikimit është e rëndësishme vendosja e saktë e të dhënave që i kërkohen aplikuesit, motivi i qarkullimit dhe itineraret e kërkuara.
9. Në përfundim të aplikimit shfaqet një numër aplikimi, i cili i jep mundësinë qytetarëve të ndjekin fazat e konfirmimit të kërkesës së tyre online, duke rritur kështu në maksimum transparencën e komunikimit të Policisë me qytetarët.
10. Në këtë hapësirë qytetarët mund të vetëdeklarojnë lëvizjen me mjet për vajtje-ardhje në punë, të aplikojnë për lëvizje mjeti personal, të aplikojnë për lëvizje mjeti\mjetesh biznesi dhe të gjurmojnë statusin e aplikimit të tyre.
Duke falënderuar për mirëkuptimin!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb