(Në kuadrin e përvjetorit të njëqindedhjetë të krijimit të Policisë së Shtetit shqiptar 13.01.1913–13.01.2023, si një udhëtim në kujtesë në një prej institucioneve jetike të shtetit shqiptar).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe zgjedhja e organeve ekzekutive dhe legjislative të shtetit ishin aktet sublime në 1912-tën. Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali bëri njoftimin e gjashtë Fuqive të Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë, për këtë akt madhor të shqiptarëve. Njoftuan gjithashtu dhe shtetet ballkanike si: Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të shqiptarëve. Më 28 Nëntor, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i qeverisë së shtetit shqiptar. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha trevat shqiptare. Pavarësia si akt madhor përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e shqiptarëve, fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të të gjithë shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës. Vetëm një javë më vonë u formatua qeveria, ndërkohë që nevojë imediate ishte rendi, qetësia dhe siguria e brendshme. Struktura e qetësisë ishte një prej obligimeve të para të qeverisë së Vlorës. Ndjenja patriotike e shqiptarëve ishte pishtari i ndezur i atdhetarisë për tu mbrojtur nga rreziqet. Policia e Shtetit është struktura që e kërkon koha në të gjitha epokat. Krijimi i policisë së shtetit për herë të parë u bë bazuar në vizionin e themeluesit të shtetit, i cili në ditët e para të vitit 1913 thoshte: “Përpiquni të siguroni sa më mirë qetësinë e vendit dhe rendin publik…”, porosiste Kryeministri Ismail Qemali prefekturat dhe bashkitë e vendit. Për herë të parë në një qeveri shqiptare nisi të funksiononte Zyra e Sigurimit Publik, që thënë ndryshe ishte Drejtoria e Policisë Shqiptare, me detyra administrative dhe gjurmuese, ndërkohë që shkollimi ngeli një ide në letër. Kështu më 13 janar 1913 Qeveria e Vlorës mori vendimin për krijimin e Forcave të Rendit, të Policisë dhe Xhandarmerisë, (sipas DP të AQSH.

Fondi dokumentar 245/II, dosja 69, faqe 1). Detyrat e forcave të rendit, që rridhnin nga Kuvendi i Vlorës, do t’i kryente një xhandarmëri me Alem Tragjasin, Hysni Toskën, Sali Vranishtin dhe Hajredin Hekalin, ndërsa në funksionin administrative policor, drejtor i parë ishte Halim Gostivari. Më 4.5.1913 u krijua Shtabi madhnuer, nga i cili varej xhandarmëria me tre batalionet e saj të Vlorës, Beratit dhe Elbasanit, ndërsa më 3.6.1913 u miratua “Rregullorja e Milicisë shqiptare të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës”. Në një periudhë kohore 110 vjeçare Policia e Shtetit ka pasur historikun e saj të zhvillimit, në përputhje me politikat shtetërore të paqëndrueshme. Policia ka qenë dhe ka ngelur domosdoshmëri jetike e shtetit dhe kërkesë e publikut, për misionin principial që policia luan në shërbim të rendit, qetësisë, sigurisë, komunitetit si dhe në zbatueshmërinë ligjore. Organizimi i parë i Policisë u bë në bazë drejtorie me qendër në Vlorë. Drejtuesi i parë i policisë shqiptare në shtetin e Ismail Qemal bej Vlorës ishte Halim Gostivari nga Gjakova, ndërsa pas tij Fehmi Mezhgorani nga Tepelena. Në planin historik Policia Shqiptare është ngritur nga vetë shqiptarët dhe më vonë edhe është mbështetur e këshilluar nga ekspertë e specialistë hollandezë e më tej edhe britanikë, edhe pse është ruajtur tiparet dhe identiteti i misionit civil të Policisë, formati i evropian, por dhe me norma juridike për gjurmimin, hetimin, arrestimin, mbrojtjen e të drejtave e të lirive të individit, ndalimet e hyrjeve me forcë në shtëpitë e qytetarëve, grumbullimet pa armë etj.

Eksperienca botërore e policimit dhe fryma e re e policimit në Shqipëri

Shqiptarët kishin detyra më imediate për sigurinë e shtetit, se sa reformimi mbi bazën e eksperiencave botërore të policimit. Ndërkohë që bota e përparuar kishte bërë reforma të shumta për policim në vendin tonë rithemelimi i shtetit dhe policimi formal. Bota e përparuar njihte tashmë një emër të njohur Robert Peel, nismëtar për miratimin mbretëror Britanik të Aktit të Policisë Londineze më 19.06.1829, duke vendosur policinë e Londrës nën kontrollin e Sir Robert Peel, ishte një zgjidhje për shkak të frikës së publikut në lidhje me vendosjen e forcave të ushtrisë në çështjet e brendshme. Ai ishte i pari Sekretar i Brendshëm në botë që organizoi forcën policore përgjatë linjave civile, në vend se forcave paramilitare. Për tu dukur neutrale, uniforma ishte porositur dhe prodhuar qëllimisht në ngjyrë blu, sesa e kuqe, e cila ishte atëherë një ngjyrë ushtarake, së bashku me oficerët të armatosur vetëm me një shkop druri dhe një raketë për të sinjalizuar nevojën për ndihmë në rast rreziku. Së bashku me këtë, radhët e policisë për kohën nuk përfshinin tituj ushtarakë, me përjashtim të gradës së rreshterit. Forca policore prej 1000 djemsh, ose sikurse quheshin “Bobsat”, për nder të krijuesit të tyre, Robertit, nuk mbante armë zjarri, megjithëse Sir Robert Peel autorizoi Komisionerin të blinte pesëdhjetë pistoleta xhepi, për t’u përdorur në rrethana të jashtëzakonshme, siç janë ato që përfshinin përdorimin e armëve të zjarrit. Karakteristikat e bobsave ne syte e publikut ishin “helmeta, shkopinjte dhe bilbili”. Në atë kohë, në Londër dhe jo vetëm vjedhjet ose thyerjet e shtëpive, ishte një problem i zakonshëm për policinë.

“Shkelësit e shtëpive” ishin zakonisht të armatosur. Atëherë ishte gjithashtu e ligjshme (sipas projektligjit të të drejtave 1689) për anëtarët e publikut që ishin protestantë, siç ishin shumica, të zotëronin dhe të përdorin armët e zjarrit.

Pas vdekjes së oficerëve me armë zjarri në rrethet e jashtme të metropolit dhe debatit publik për armatosjen e forcës, Komisioneri i kërkoi Robert Peel për autorizim për të furnizuar oficerët në rrethet e jashtme me revolverë. Autorizimi u dha me kushtin që revolverët të lëshoheshin vetëm nëse, sipas mendimit të oficerit të lartë, oficerit mund t’i besohej ta përdorte me siguri dhe me përgjegjshmëri të lartë.

Robert Peel në mendjen e njerëzimit ka ngelur si “babai” i policisë së botës. Eksperienca britanike u përhapën në mbarë botën. Era e policimit mbërriti deri në Shqipërinë tonë të vogël, por me aspirata të mëdha të shtetformimit.

Së pari me tiparet e policimit janë grupi i xhandarmërisë hollandeze me De Veerin dhe Tomsonin, ndërkohë që pas viteve ’20-të vështrimi u hodh edhe përtej kufirit administrativ shqiptar. Në maj 1923 Kolonel Sterling mbriti në Shqipëri. Ndërsa më 29.9.1926, vendin e inspektorit të përgjithshëm, që mbante gjenerali anglez Frank W. Sterling e zuri gjenerali anglez Perssi. Më 1933, në krye të Xhandarmërisë ishte nënkolonel Shefki Shatku, i cili ishte një nga oficerët më të përgatitur të kohës, por në të njejtën kohë mbretëria e brishtë shqiptare në ndihmë të Xhandarëmrisë, kishte vendosur në dispozicion gjeneralin anglez në pension Perssi.

Policimi në Shqipëri kishte kaluar edhe në “rrugë të pashkelura”, që misionin e policimit e kryente Garda dhe Xhandarmëria shqiptare, si elemente të sigurisë së brendshme deri në prillin e ’39-ës, kur pushoi së ekzistuari. Është fakt se misioni i policimit i Xhandarmërisë shqiptare më 1936 kishte një kolonel, katër nën/kolonelë, 8 majora, 16 kapitena të parë, 32 kapitena të dytë, 40 togera, 43 nëntogera, me 144 oficerë gjithsej me 3.250.000 franga ari buxhet të përgjithshëm.

Policimi në pavarësinë e dytë të Shqipërisë

Vitet ’20-të janë ndër më decizivët për ardhmërinë e shtetit shqiptar. Kongresi i Lushnjës, Lufta e Vlorës dhe sidomos pas konferencës së Versajës, shqiptarët kaluan ndër momentet më të rëndësishme historike të shtetformimit. Në vitet 1919-1920, qeveria vlerësoi rëndësinë e Policisë. Ajo organizoi Drejtorinë e Përgjithshme të Qetësisë Botore dhe u dha kompetenca nënprefekturave e prefekturave që të organizojnë zyrat e Policisë dhe të caktojnë policët në detyrë. Strukturat e Policisë në atë kohë u shtrinë në 14 nënprefektura, që kishte një efektiv prej 5 komisarë, 8 nën komisarë, 43 policë, që ishin emërtuar “komiseri”. Ishte hera e parë në historikun e saj, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë pati buxhetin e saj, që në Nëntor 1919, buxhet i cili u rrit më tej më 1920, në masën 30%. Paga e punonjësve të policisë shënonte rritje me argumentin se do të ndikonte në përmirësimin e gjendjes dhe rritjen dhe ndërgjegjësimin e policëve të shtetit të riformatuar shqiptar. Viti 1920-të ishte viti i riorganizimit të Policisë shqiptare me drejtori policie në prefektura dhe shtimin e limitit organik të saj. Drejtorë të rinj të policisë dhe komisarë policie të rinj ishin sikurse administratorët vendorë e drejtuesit në strukturat e xhandarmërisë, ushtrisë e milicisë. Më 1921 roli i Policisë u fuqizua dhe iu kushtua kujdes i posaçëm i aftësimit për kryerjen e veprimeve proceduriale që në çastin e njoftimit për ngjarjen, ndjekjen me shumë përgjegjësi të ngjarjeve kriminale dhe dokumentimin rigoroz të tyre në një raport në çdo dy javë. Kontrolli i territorit ishte detyrë e rëndësishme dhe në metodën e policimit u kufizua e drejta e veprimit arbitrarisht ndaj individëve.

Policimi në vitet e Republikës së parë, Mbretërisë dhe policisë popullore

Në vitet 1927, 1928 në vendin tonë kishte përpjekje për organizimin e Policisë Shqiptare sipas modelit italian dhe në zbatim të ligjit për Administratën Civile, duke synuar dhënien e të gjithë kompetencave prefektit për kontrollin e policisë. Në dhjetëvjeçarin 1928-1938 ka pasur zhvillime progresive të policisë e xhandarmerisë, ku futen elementë modernë perëndimor ne fushën e strukturave dhe legjislacionit te policisë dhe xhandarmerisë. U krijuan për here te pare disa lloje policish si policia bashkiake më 1928, policía rurale më 1929, policía kufitare më 1930, policía e sigurimit publik më 1938, roja mbretërore e kufirit më 1939 dhe xhandarmëria qytetase me atributet e policisë urbane, etj. Periudha e viteve 1939-1944 ishte në peshën e LIIB, ndërsa Policia në më të shumtën ishte strukturë e qetësisë e rendit në rrethana specifike të luftës. Fillimisht ajo ishte pjesë e trupës së armatosur e Policisë në Shqipëri, në varësi të kryesisë së Këshillit të Ministrave, por e inkuadruar në trupën policore të Mbretërisë së Italisë. Në strukturën organizatave të saj spikatin Drejtoria Qendrore e Sigurimit Publik, zyrat e prefekturave, zyrat në nënprefektura dhe zyrat e kufirit dhe të post-porteve tokësore e detare. Gjatë LIIB strukturat e policisë e xhandarmërisë në pjesën me të madhe u asimiluan dhe u profilizuan sipas interesave të shteteve pushtuese. Gjate dy pushtimeve, policia u integrua në strukturat ushtarake me emërtimin “Trupa e Armatosur e Policisë”. Në vitin 1943, në zonat e çliruara, u krijuan strukturat partizane për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike: Komandat e Qarkut, Komandat e Vendit dhe rojet vullnetare. Pas Luftës së Dytë Botërore organizimi dhe strukturimi i policisë është bërë sipas modeleve lindore. Për periudhën e pushtimit Italian policia ishte në mbikëqyrjen e këshilltarit të përhershëm të policisë italiane dhe shumë funksionarëve të tjerë italianë, ku kjo periudhë pati fuqizim të policisë dhe rritje të gamës së përgjegjësive të saj. Çlirimi nga pushtimi nazifashit i vendit solli politika të reja në misionin dhe funksionin e policisë. Bërthamat e njësive policore të krijuara në zonat e çliruara gjatë luftës ishin të gatshme të merrnin përgjegjësinë e mbajtjes së qetësisë në vend. Më 14 maj 1945 u bë riorganizimi zyrtar i ri i policisë, për gjithë strukturat ushtarake të komandave të qarqeve dhe njihet si krijimi i Policisë Popullore, si strukturë e MPB, që varej nga Drejtoria e Policisë dhe në periudhën 1946-1948 limiti organik ka variuar nga 2286 deri në 3766 vetë. Deri më 1982 limiti organik i Policisë së Shtetit ka qenë i pandryshueshëm në shifra, ndërsa zhvillimet ndërkombëtare dhe ato të brendshme ndikuan në rritjen e limit organik të Policisë aq sa në vitin 1991 shifra e punonjësve të rendit e të qetësisë arriti në kufijtë deri 21000 punonjës. Në fillimin e këtyre viteve kanë zanafillën krijimin e strukturave të forcave speciale, shtimi i masave të shumta të sigurisë për VIP-at dhe sidomos rritja e numrit të policisë kufitare.

Era e policimit dhe sigurisë së brendshme në demokracisë shqiptare

Periudha 1992 e në vijim u shoqërua me reformimim e strukturave, personelit, standardeve të policimit dhe përmirësimin e ndjeshëm të infrastrukturës. Nëse bëjmë bilancin e rrugëtimit 110 vjeçar të Policisë Shqiptare, së pari kemi obligimin moral e shpirtëror të përulemi në shenjë të thellë nderimi e respekti para varrezave, lapidarëve, memorialëve të punonjësve të Policisë të rënë në krye të detyrës në emër të sakrificës sublime në përmbushje të misionit ligjor për të garantuar rendin e qetësinë publike në Shqipëri, sepse “gjaku i policisë është gjak i shtetit”. Në një shekull e dhjetë vite të ekzistencës së Policisë shqiptare vlen shumë nderimi dhe vlerësimi i pjesëmarrësve të ndershëm të Policisë, të gjithë ata që kontribuan dhe sakrifikuan në përballje me elementët kriminalë, në çdo skaj të atdheut, larg familjeve, në kushte jo të favorshme pune e jetese por me bindjen e brendshme dhe pasionin e lartë për t’i shërbyer me rigorozitet ligjit, mbrojtjes së jetës së qytetarëve me jetën e tyre dhe garantimit e të ardhmes së qetë e të sigurt në Shqipëri. Policia Shqiptare është në krah të policive moderne evropiane, pse jo , e barabartë dhe në frontin e përbashkët kundër krimit të të gjithë llojeve të tij. Policia sot ka të gjitha potencialet intelektuale e profesionale të Policisë Shqiptare janë të nivelit dhe standarteve që sigurojnë efikasitet të lartë në përmbushjen e misionit të saj, në përmbushje të kryerjes së detyrimeve ligjore e profesionale të përgjegjësive, si në fushën e krimit të organizuar ashtu edhe në atë të policimit në tërësi. Policia e Shtetit sot ka një bazë të sigurt të arsimimit modern, të kualifikimit dhe trajnimeve që është Akademia e Sigurisë tashmë edhe e akredituar zyrtarisht nga viti 2022 e në vijimësi. Këtu vlen të përmendim edhe një bashkëpunim i nivelit bashkëkohor me Finlandezët, Estonezët, Austriakët, Italianët etj. Në ligjin për Policinë e Shtetit, nr. 108/2014, në nenin 37, parashikohet që Policia të ketë  institucionin e saj arsimor përgjegjës për formimin, specializimin dhe kualifikimin e punonjësve të Policisë së Shtetit të nivelit operues, administrativ e menaxherial. Në zbatim të këtij neni, me VKM nr. 185 datë 25.2.2015, u krijua Akademia e Sigurisë, tashmë përgjegjëse edhe për edukimin dhe trajnimin e punonjësve të strukturave të tjera të sigurisë në vend. AS-ja ka në dispozicion edhe një Qendrën Kërkimore Shkencore dhe të Projekteve, që ka realizuar disa projekte kërkimore shkencore, konferenca shkencore ndërkombëtare e kombëtare, ka publikuar 28 revista shkencore “Policimi dhe Siguria”. Ndërkohë që institucioni unik i Akademisë së Sigurisë  po punon fort për përmbushjen e misionit dhe të vizionit, ku veprimtaria në fushën e edukimit dhe kërkimit shkencor është vlerësuar në vazhdimësi nga publiku dhe autoritetet më të larta të ekzekutivit e legjislativit. Misioni themelor i Akademisë së Sigurisë është zhvillimi dhe transmetimi i dijeve me anën e mësimdhënjes dhe kërkimit shkencor, në fushën e rendit dhe sigurisë për përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve të Policisë së Shtetit dhe të strukturave të tjera ligjzbatuese. Aseti i AS-së është një domosdoshmëri për Policinë e Shtetit dhe ardhmërinë e sigurt në luftë ndaj krimit, rendit dhe sigurisë. Arsimimi policor është futur në hollinë e plotë të aplikimit të ligjit të arsimit të lartë dhe ligjit për policinë e shtetit në një sinkron ekspicit dhe mirëkuptues institucional. Policia e Shtetit është plotësisht e inkurajuar nga partnerët ndërkombëtarë, është në bashkëpunim të ngushtë me shumë institucione ligjzbatuese dhe ka standarte por dhe kapacitete të mjaftueshme për realizuar mjeshtërisht metodat më bashkëkohore të hetimit si dhe  disponon teknologjinë e informacionit e aplikon sistemet bashkëkohore në strukturat decizive të policimit. Policia e Shtetit meriton nderim e mirënjohje edhe në këtë 110 vjet të rrugëtimit përmes flakëve të përzhitura të krimit dhe triumfeve mbi vështirësitë, duke shpalosur profesionalizmin, vlerat e larta njerëzore. Policia, djemtë dhe vajzat e popullit nga të gjitha trevat e Republikës meritojnë padyshim falënderimet e përzemërta sepse janë mbrojtësit e garantuesit e jetëve njerëzore, në shërbim të qytetarit, të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, në zbatimin rigoroz të ligjit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb