TIRANË

Ardi Veliu ka dhënë sot mesazhin e fundit si kryepolic i Shqipërisë. Në ceremoninë e prezantimit të drejtorit të ri të Policisë së Shtetit, Veliu foli për punën e tij në polici, falënderoj kryeministrin, kolegët dhe tre ministrat, si dhe pati dhe një përgjigje për kritikët.

“Nën 35 vitet e mia nën uniformë, duke filluar nga 14 vjeç jam brumosur dhe edukuar t’i shërbej vendit tim dhe qytetarëve të vendit tim. Çdo ditë të detyrës sime jam mbështetur në tre shtyllat kryesore të cilat kanë qenë çdo ditë në vlerësimin tim si ndershmëria përkushtimi dhe humanizmi. Sot policia e Shtetit është më mirë se dje dhe falë kësaj pune të cilën ju të nderuar kolegë së bashku përballuam sfidat e tërmetit të 2019, ku qysh në momentet e para deri ditën e fundit, ishit të parët që dhatë ndihmën e parë, shpëtuat jetën e qytetarëve dhe kryet këtë mision më së miri. Vlerësim dhe mirënjohje për të gjithë ju. Së bashku arritëm të menaxhonim qindra tubime, të cilat u shoqëruan dhe me lëndime të punonjësve të policisë.
Së bashku, për muaj me radhë arritëm të menaxhonim situatën e pandemisë. Jam krenar për çfarë kemi bërë dhe që sot e dorëzoj detyrën. Falënderoj kryeministrin e vendit tim i cili më ka mbështetur nga dita e parë për të bërë këtë detyrë sa më mirë. Falënderoj tre ministrat. Falënderimi kryesor është për ju të nderuar kolegë. Policia e Shtetit është shumë herë më mirë se dje, pavarësisht se të verbuarit nga 20-fishimi i çmimit të kanabisit në vendin tonë apo të shurdhuar nga 1 ton kokainë e bllokuar nga policia, nga ju të nderuar kolegë kërkojnë të hedhin baltë mbi policinë, mbi punën, mbi djersën e policisë. Por policia nuk fillon as me mua, as nuk mbaron me mua.
Falënderoj bashkëshorten dhe dy fëmijët, të cilët ma kanë bërë shumë të lehtë detyrën”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: