Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano dha detaje nga atentati i ndodhur pasditen e së martës në Elbasan. Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, e cila u zhvillua rreth orës 1:00 të mëngjesit të së mërkurës, Nano foli më tej rreth arrestimit të Nuredin Dumanit.

Mbrëmjen e datës 29 mars 2022, nga strukturat e Policisë së Shtetit është finalizuar me sukses operacioni policor i koduar “Arratia”, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi i një prej personave më të kërkuar i dyshuar për disa vrasje.

NJOFTIMI I POLICISE
Më datë 29 mars 2022, rreth orës 22:25, në lagjen “Apollonia” në Fier, si rezultat i punës profesionale të strukturave të Policisë së Shtetit, u bë lokalizimi dhe kapja e një prej personave më të kërkuar sot në vendin tonë, Nuredin Dumani.

Në finalizimin e operacionit, bazuar në informacionet e siguruara nga Policia e Elbasanit u angazhuan forcat Speciale Renea, Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe Forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.

Gjatë operacionit bashkë me shtetasin Nuredin Dumani u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shetasit H. H., 40 vjeç, banues në lagjen Apollonia, Fier, i cili u kap i armatosur me një armë zjarri pistoletë në brez dhe një  pistoletë në automjet.

Gjithashtu nga kontrolli në banesën ku fshihej Nuredin Dumani, u gjet e u sekuestruar edhe një armë zjarri kallashnikov, si dhe prova të tjera të cilat do të analizohen dhe vlerësohen nga Grupi Hetimor.

Po gjatë operacionit, u kapën edhe dy persona të tjerë për të cilët Grupi Hetimor po punon për sqarimin e pozitës së tyre, për lidhjet  me personin e shumë kërkuar Nuredin Dumani.

Sqarojmë se më datë 29 mars 2022, rreth orës 17:35, në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, në Papër, është qëlluar me armë zjarri ndaj një automjetit tip “BMW”, në të cilin dyshohet se udhëtonte shtetasi i kërkuar.

Pas marrjes djeni për ndodhjen e kësaj ngjarjeje, falë veprimeve të shpejta dhe profesionale dhe ndjekjes në një kohë shumë të shpejtë nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, u arrit të lokalizohej dhe kapej shtetasi Nuredin Dumani.

Grupi hetimor po punon për të sqaruar dinamikën e ngjarjes, si dhe pozicionin e shtetasit Nuredin Dumani i cili në momentin e kapjes ishte i plagosur me armë zjarri. Gjendja e tij sipas mjekëve është e stabilizuar  dhe pas ndihmës së parë ne qytetin e Fierit është transportuar për në spitalin e Traumës në Tiranë për ndihmë mjekësore.

Deri tani janë kapur e sekuestruar dy armë zjarri pistoletë dhe dy armë zjarri  kallashnikov, (një kallashnikov është sekuestruar nga Policia e Elbasanit).

Gjej rastin të falënderoj të gjithë punonjësit e Policisë të angazhuar në këtë operacion të cilët prej disa muajëve kanë punuar me intensitet e përkushtim për lokalizimin dhe kapjen e personave shumë të kërkruar.

Falënderoj Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe SPAK-un, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e pakursyer e profesionale për strukturat hetimore të Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit mbetet e vendosur për goditjen e çdo aktiviteti kriminal, kapjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve të tyre dhe personave të kërkuar që i shmangen hetimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb