TIRANË

Punonjësja e policisë që mbeti e plagosur nga një kapsollë gjatë protestës së 22 nëntorit para parlamentit, është kthyer mbrëmjen e kaluar në Tiranë. Ina Nuka ka mbërritur në Rinas rreth orës 21:30 pas trajtimit mjekësor të specializuar në Ankara të Turqisë dhe ndërhyrjes që i bëri të mundur rikthimin e gishtit të këputur.

“Policia është ëndrra ime, nuk do tërhiqem kurrë, çka më ndodhi më ka bërë më të fortë, më të motivuar. Ndjehem e përulur para gjithë shqiptarëve të cilët u bënë pjesë me mesazhet e tyre”, tha Nuka pas mbërritjes në Rinas.

Ajo u prit nga Zv/ministrja e Brendshme Romina Kuko, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, Drejtori i Departamentit për Sigurinë Gjovalin Loka, Zv/drejtori për Rendin në DVP Tiranë Dhimitraq Ziu, drejtues të tjerë të lartë të Policisë, kolegë, miq e të afërm.

Efektivja tha se nuk ka mëri personale me askënd dhe për cilindo që shkel ligjin të veprojë ligji.
“Mirënjohje e falënderim për gjithë shqiptarët që me mesazhet e tyre u solidarizuan dhe më mbështetën, ndjehem e përulur përpara tyre. Falënderoj Kryeministrin e vendit, që bëri të mundur dërgimin tim në Turqi për ndërhyrje kirurgjikale shumë të specializuar, Ministrin e Brendshëm dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për inkurajimin dhe mbështetjen që më dhanë, kolegët dhe cilindo që u bë pjesë e dhimbjes sime.
Falënderim i veçantë për mjekët e spitalit në Ankara, të cilët kryen tre operacione për të rikuperuar dëmtimin e madh të gishtave të dorës, si dhe qeverinë turke dhe ambasadorin e Shqipërisë në Turqi.
Unë jam punonjëse Policie, isha duke bërë detyrën dhe zbatuar ligjin, s’kam asnjë mëri personale me askënd, për cilindo që shkel ligjin, të veprojë ligji. Dua të përcjell një mesazh, të mos reflektojmë dhunë, të mbrojmë jetën e ta duam më shumë atë.
Kurrë s’do heq dorë nga Policia, pasi jam privuar nga shumë gjëra të tjera për të realizuar ëndrrën time, të jem pjesë e Policisë së Shtetit”, tha Nuka.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: