Policia bashkiake ka shkuar sot në disa ambiente të punishtes se Piceri ‘Era’ në rrugën “Abdyl Frashëri” dhe ka hequr që aty depozitat, gjeneratorin dhe bombolat e gazit dhe objekte të tjera.

Aksioni i policisë bashkiake vjen pak orë pas protestës së banorëve të zonës, të cilët deklaruan para kamerës se kanë disa probleme që i shqetësojnë, siç është prania e depozitave dhe bombolave, apo dhe zhurma e lokaleve deri natën vonë.

Banorët thanë se janë rreth 16 lokale në zonën e tyre, ndërkohë që policia bashkiake e nisi aksionin pikërisht nga ‘Era’.

Pronari i kompleksit të restoranteve ‘Era’ Altin Bamllari, i cili u bë i njohur për publikun pas denoncimit të sjelljes së policisë ndaj tij dhe djalit, tha për News24 se për depozitat, bombolat dhe gjeneratorin ka leje mjedisore dhe ka paguar çdo detyrim vjetor.

Ai shtoi se heqja e tyre do të pengoje shumë punën e biznesit të tij, që është i rregullt në çdo detyrim ndaj shtetit. Altin Bamllari disa ditë më parë denoncoi në FB patrullën e policisë në qendër të Tiranës, për dhunë të pajustifikuar ndaj tij dhe të birit, duke postuar edhe foto që e dëshmonin këtë dhunë. Policia me një deklaratë përgënjeshtroi Bamllarin duke thënë se ai ishte lënduar pasi u rrëzua kur vraponte t’i largohej policisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: