Policia izraelite ka njoftuar se pesë persona u vranë në një sulm në pjesën qendrore të Izraelit.

“Një terrorist hapi zjarr ndaj civilëve në rrugë me një pushkë automatike, më pas kaloi në një rrugë tjetër duke shënjestruar civilët edhe atje”, thuhet në një deklaratë të policisë, ku theksohet se ngjarja ndodhi në qytetin Bnei Brak.

Në njoftim gjithashtu thuhet se sulmuesi u vra nga forcat e sigurisë.

Nuk u dhanë informacione të mëtejshme mbi identitetin e sulmuesve apo viktimave.

Pas sulmit me të shtëna, një numër i madh i personelit të sigurisë dhe ekipeve mjekësore u dërguan në qytetin Bnei Brak.

Ndërkohë, në një deklaratë të zyrës së kryeministrit izraelit thuhet se Naftali Bennett do të zhvillojë një konsultim sigurie për incidentin e natës së sotme me ministrat e mbrojtjes dhe të sigurisë publike dhe zyrtarë të tjerë të sigurisë.

Më 22 mars, katër izraelitë u vranë në një sulm me thikë në qytetin jugor Beersheba. Autori u tha se ishte një simpatizant i grupit terrorist të DEASH dhe më parë ishte burgosur për krime “të lidhura me sigurinë”.

Në qytetin Hadera të dielën në mbrëmje dy policë kanë mbetur të vrarë dhe tre policë janë plagosur si pasojë e zjarrit të hapur nga dy sulmues. Përgjegjësinë për sulmin e mori grupi terrorist DEASH.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb