TIRANE-Në një deklaratë për mediat, zv.drejtoresha e policisë së Shtetit, Aida Hajnaj tha se policia ka kryer të gjitha procedurat sa i përket kallëzimit të 25-vjeçares, Xhisiela Maloku, e dhunuar nga ish i dashuri i saj, Rexhep Rraja, i cili është djali i deputetit Rrahamn Rrahja.

Duke iu përgjigjur zërave se djali i deputetit duhet të ishte arrestuar, zyrtarja e Policisë tha se arrestimi kryhet me urdhër të prokurorisë dhe gjykatës.

“Xhisiela Maloku u tërhoq nga kallëzimi, por policia nuk është tërhequr. Në respekt të publikut sqarojmë se shtetasja Maloku është trajtuar me përparësi nga policia. Policia nuk e ndaloi hetimin, por e referoi çështjen në Prokurori, pavarësisht tërheqjes së kallëzimit nga Maloku. Çdo masë sigurie apo ndalimi nuk janë kompetencë e Policisë, por ligji ia njeh prokurorit dhe gjykatës”- tha Aida Hajnaj.

Aida Hajnaj tha se prokurorja i ka kërkuar ish-oficerit Nuhu të merrte në pyetje Rexhep Rrajan, i denoncuar për ushtrim dhune nga Maloku, por ai nuk e ka bërë.

Deklarata e plote e Zv/drejtoreshes se Përgjithshme te Policisë së Shtetit:

Jemi sot këtu për të informuar lidhur me veprimet e Policisë së Shtetit në trajtimin e çështjes që lidhet me shtetasen Xhisiela Maloku.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së shtetit, përmes Drejtorisë së Standarteve kreu nje hetim administrativ të të gjithë veprimeve të kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit në trajtimin e kësaj çështje.

Në përfundim të këtij procesi sqarojmë në mënyrë kronologjike se :

Pasditen e datës 21 Korrik 2018 rreth orës 17, pranë Komisariatit Nr.3 në Tiranë është parqitur shtetasja Xhisiela Maloku e cila ka depozituar kallëzim ndaj shtetasit Rexhep Rraja për përndjekje dhe kanosje me mesazhe telefonike.

Për shkak të përgjegjësisë territoriale të vendbanimit kësaj shtetaseje, në të njëjtën ditë në orën 21.40 pranë Stacionit të Policisë së Fushë-Krujës, shtetasja Xhisiela Maloku është thirrur nga Oficeri i Policisë Gjyqësore Gentian Çitozi për të dhënë deklarimin e saj lidhur me ngjarjen. Kjo është bërë publike edhe nga komunikata ditore e Policisë së Shtetit e datës 22.07.2018 të cilën mund ta verifikoni në çdo moment duke vizituar faqen e internetit të Policisë së Shtetit.

Oficeri i policisë Çitozi, nuk ka vepruar në përputhje me Kodin e Procedurës Penale për marrjen në pyejtje të një shtetasi, pasi prezent ka qenë edhe shtetasi Rexhep Rraja i cili është personi nën hetim, me pretendimin se palët janë pajtuar midis tyre.

Për këtë arsye oficeri Çitozi është pezulluar nga eprorët e tij, në këtë rast nga Shefi i Komisariatit
dhe është referuar në Prokurori nga SHÇBA.

Ditën e Hënë më datë 23.07 2018 çështja e shtetases Maloku është referuar në Prokurori. Në këtë moment çështja kaloi nën kompetencë të Prokurorisë dhe prokurorja duke e patur tanimë çështjen nën kompetencën e saj, vendosi që këtë procedim t’ia kalojë për kryerjen e veprimeve të mëtejshme oficerit të policisë Emiljano Nuhu, në datën 27.07.2018.

Oficeri i Policisë Emiljano Nuhu, ka filluar të kryejë veprime me këtë çështje pas kësaj date. Në zbatim të urdhërit të delegimit nga Prokurorja nga 11 detyra ka zbatuar vetëm 4 prej tyre.

Në asnjë prej këtyre detyrave të zbatuara, nuk është kryer marrja në pyetje e personit nën hetim Rexhep Rraja.

Sqarojmë se marrja në pyetje e shtetasit Rexhep Rraja, marrja e tabulateve si dhe kqyrja e telefonit për këtë shtetas, ka qenë detyra e parë e deleguar nga Prokurorja e çështjes, dhe që nuk janë zbatuar.

Pavarësisht kërkesës për heqje dorë nga kallzimi i vet shtetases Maloku dhe kërkesës për ta tërhequr denoncimin, drejtuesi i Komisariatit të Policisë Krujë, duke vlerësuar rëndësinë e këtij kallëzimi dhe duke vlerësuar faktet dhe rrethanat e tjera të lidhur me to, nuk ka lejuar ndërprerjen e hetimit.

Pra, ndryshe nga sa paraqitet në media, shtetasja Maloku është tërhequr nga kallëzimi kurse policia nuk është tërhequr nga hetimi i çështjes.

Madje brenda 24 orëve ka vazhduar procedurën me Prokurorinë. Çdo masë sigurie, ndalimi ose arrestimi i tij, që pretendohet se mund të merrej ndaj shtetasit R.Rraja nuk janë kompetencë e Policisë së Shtetit. Ligji jua njeh këto të drejta vetëm Prokurorit dhe Gjykatës.

Në respekt të publikut sqarojmë se shtetasja Maloku është mirëpritur dhe trajtuar me përparësi nga policia. Situatat e krijuara nga tërheqja e denoncimit të shtetases, nuk i kanë dhënë policisë mundësi ligjore për të ofruar urdhërin e mbrojtjes.

Në përmbledhje të sa më sipër:

– Oficeri i Policisë Gjyqësore Gentian Çitozi është pezulluar nga detyra dhe është proceduar penalisht për shkelje të procedurave standarde të punës së oficerit të policisë;

– Pavarësisht se shtetasja Maloku ka tërhequr denoncimin dhe në çdo rast policia duhej të kishte ndaluar hetimin, policia jo vetëm që nuk e ka ndaluar hetimin por për shkak të vlerësimit të situatës Policia e ka referuar çështjen në Prokurori.

– Policia e Shtetit i ka kryer të gjitha veprimet hetimore dhe çështja është tashmë nën hetim nga Prokuroria.

I gjithë dokumentacioni konform Kodit të Procedurës Penale gjendet në dosjen hetimore.

Policia e Shtetit është e vendosur për përmbushjen e misionit ligjor për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe veçanërisht të garantojë mbrojtjen e duhur ndaj grave dhe vajzave.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb