Policia e Beratit nuk lejon pronaret e firmave gurore të nisin punën në zonën e Novajt të Skraparit, edhe pas vendimit të Gjykatës Administrative, e cila lejoi këto të fundit të rinisin gërmimet për nxjerrjen e gurit dekorativ.

Uniformat blu bllokuan kampionet e firmave në aksin Novaj-Tomorr, çka solli edhe përplasje verbale mes tyre dhe pronarëve. Një javë më parë policia deklaroi nëpërmjet juristit të saj se, firmat do të lejohen të punojnë në zonën e Novajt, menjëherë pasi ky institucion të njihej zyrtarisht me vendimin e Gjykatës Administrative. Por edhe pas publikimit të këtij vendimi duket se qeveria nuk do të lejojë fillimin e punimeve në këtë zonë.

Nga Berati, ministri Blendi Klosi ka deklaruar se askush nga firmat nuk do të lejohet të punojë më në atë zonë, duke lënë të nënkuptohet se ai nuk e njeh absolutisht vendimin e Gjykatës Administrative që rrëzoi VKM-në e qeverisë për shpalljen e malit të Tomorit “Park Kombëtar”.

Klosi tha se mali i Tomorit nuk do të shfrytëzohet më nga askush dhe se firmave do t’u jepet një zonë tjetër ku të mund të punojnë.

Që pas vendimit të Gjykatës Administrative që rrëzoi VKM-në e qeverisë për shpalljen e malit të Tomorit “Park Kombëtar”, firmat tentuan të rifillojnë punën në këtë zonë pas një pezullimi prej 22-muajsh, por prej më shumë se një jave janë bllokuar nga policia.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb