BERAT- Policia e Beratit ka vënë në pranga një 44-vjeçar pasi akuzohet për dhunë në familje, ndërsa pas kontrollit në banesën e tij gjendet arsenal armësh e dhjetëra objekte me vlerë të vjedhura në dy muzeumet e qytetit.

Burime zyrtare bëjnë me dije se është arrestuar 44-vjeçari Ermal Sulka, pasi ndaj tij kanë denoncuar pjesëtarët e familjes, të cilët kanë deklaruar në polici se ai i dhunonte sistematikisht. Menjëherë blutë e Beratit kanë ndaluar Sulkën, ndërsa gjatë një kontrolli në banesën e tij gjeti 1 pistoletë “Trofe”; dy armë gjahu pa leje; dy arka me fishek, model 56, të kalibrit 7.62 mm; 3 mjete prerëse dhe dy thika prerëse të përmasave të ndryshme.

Ndërkohë përveç arsenalit të armëve, policia zbuloi në shtëpinë e 44-vjeçarit një ikonë e ikonostasit të muzeut “Onufri” si dhe dhjetëra sende prej bakri dhe veshje të vjetra, që mendohet se janë pjesë e Muzeut Etnografik të qytetit. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe dokumentimin e materialeve të gjetura, ndërsa materialet ndaj tij i kanë kaluar prokurorisë.

(m.k/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb