Policia e Pukës ka raportuar gjatë ditës së sotme se ka proceduar penalisht drejtuesin e një subjekti politik, pasi sipas uniformave blu, hartonte lista me të dhënave të kartave të identitetit dhe i premtonte qytetarëve para në këmbim të votës.

Pas këtij lajmërimi, ka reaguar dhe kryesia e LSI-së në Qarkun e Shkodrës. Nëpërmjet një deklarate ata theksojnë se aktivistët e LSI janë në të drejtën e tyre për të bërë ushtrime zgjedhore, në vijim të praktikave dhe orientimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mënyrën e votimit.

Ata e cilësojnë të turpshme dhe skandaloze të dërgosh për ndjekje penale aktivistë politike të cilët duan të bëjnë të njohur mënyrën e votimit. Gjithashtu, kryesia e LSI në qarkun e Shkodrës i bën thirrje policisë që të ndalë këtë revansh të turpshëm dhe antiligjor sipas tyre, dhe të angazhohet në kryerjen e detyrave të veta funksionale.

Deklarata e plotë:

Deklaratë e kryesisë së LSI Qarku Shkodër

Dega e LSI qarku Shkodër informon e sqaron opinionin publik se ngjarja e ndodhur ne Pukë, ku aktivistë të LSI janë marrë nën hetim nga policia është një situatë që tregon politizimin e tejskajshëm të policisë së Rilindjes.

Aktivistët tanë janë në të drejtën e tyre për të bërë ushtrime zgjedhore, në vijim edhe të praktikave dhe orientimeve të Komisionit Qëndror të zgjedhjeve për mënyrën e votimit. Është skandaloze dhe e turpshme të dërgosh për ndjekje penale aktivistë politikë të cilët duan të bëjnë të njohur mënyrën e votimit, aq më shumë që është një skemë e re, e papërdorur më parë.

Fletët e gjetura janë demonstrative dhe nuk kanë si të jenë origjinale, kur ato akoma nuk janë prodhuar. Ato janë thjesht dhe vetëm orientuese dhe natyrshëm përdoren nga të gjithë subjektet politike.

I bëjmë thirrje policisë të ndalë këtë revansh të turpshëm dhe antiligjor, dhe të investohet e angazhohet në kryerjen e detyrave të veta funksionale .

Dega e LSI Qarku Shkoder

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb