Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se është i brengosur për masat që ka ndërmarrë SHBA-ja kundër Kosovës, për shkak të situatës në veri të vendit, por “asnjëherë i frikësuar”.

SHBA-ja tha se Kosova i injoroi këshillat e saj për të shmangur rritjen e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe dhe e përjashtoi atë nga pjesëmarrja në një stërvitje ushtarake, të udhëhequr nga Amerika në Evropë. “Po punojmë shumë që të gjejmë një zgjidhje për këtë”, tha Kurti gjatë një adresimi nga Bratisllava, ku po merr pjesë në një forum për sigurinë.

Kurti nga ana tjetër i mbrojti veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë. “Policia jonë po bën punë profesionale, janë të trajnuar, i dinë të drejtat e njeriut dhe nuk ka shkelje nga ana e Policisë sonë”, tha Kurti në një adresim nga Bratisllava.

Ai e përsëriti këtë qëndrim përkundër reagimit të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare se instalimi me forcë i kryetarëve shqiptarë “është i papranueshëm”. “Nëse duan protesta paqësore, me kërkesë për zgjedhje të parakohshme, ata e kanë një kryeministër që ka qenë gjithë jetën aktivist politik dhe është më shumë se i gatshëm t’i dëgjojë dhe ndoshta të pajtohet me ta”, tha po ashtu Kurti. Kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb