TIRANË – Policia e Shtetit ka deklaruar sot e drejta e qytetarëve për të protestuar është e garantuar me ligj, ndaj nesër, ajo do të marrë të gjitha masat për zhvillimin e tubimit të kërkuar nga PD-ja në sheshin “Skënderbej” dhe garantuar qetësinë publike.

Zv.Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Altin Qato, kërkoi pajisjen e qytetarëve me dokumenta identifikimi pasi “nga vlerësimi i disa informacioneve të marra nga Policia e Shtetit dhe agjensi të tjera ligjzbatuese, strukturat e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontrolle në të gjitha akset rrugore, kontrolle personash dhe mjedisesh, me qëllim identifikimin dhe kapjen e personave që mund të lëvizin me armë apo sende të tjera të kundraligjshme apo që në bazë të të dhënave mund të synojnë akte të paligjshme gjatë zhvillimit të protestës.”

Qato kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për bllokimin e disa akseve rrugore dhe theksoi se Policia e Shtetit është e vendosur në përmbushjen e misionit të saj për garantimin e rendit e të sigurisë publike.

DEKLARATA E PLOTE E Z.ALTIN QATO

“Subjekti politik, Partia Demokratike, ka paraqitur sot një kërkesë për organizimin e një proteste më datë 12 Mars, ora 11:00 në qytetin e Tiranës. Bazuar në ligjin për “Tubimet”, Policia e Shtetit do të garantojë mbarëvajtjen e tubimit për të siguruar rendin publik gjatë zhvillimit të tij.

E drejta kushtetuese për të protestuar është e garantuar, ndaj Policia e Shtetit do të marrë masat maksimale për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në qytetin e Tiranës dhe në të gjithë vendin.
Në këtë kontekst, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për bllokimin e disa akseve rrugore në Tiranë dhe njëherazi u kujton të gjithë qytetarëve detyrimin për të qënë të pajisur me dokument identifikimi gjatë lëvizjes së tyre si dhe për t’ia vënë në dispozicion punonjësve të Policisë së Shtetit kur të kërkohet.

Në kuadër të këtyre masave, si dhe nga vlerësimi i disa informacioneve të marra nga Policia e Shtetit dhe agjensi të tjera ligjzbatuese, strukturat e Policisë së Shtetit do të ushtrojnë kontrolle në të gjitha akset rrugore, kontrolle personash dhe mjedisesh, me qëllim identifikimin dhe kapjen e personave që mund të lëvizin me armë apo sende të tjera të kundraligjshme, apo që në bazë të të dhënave mund të synojnë akte të paligjshme gjatë zhvillimit të protestës.

Policia e Shtetit do të marrë masa të plota me synim parandalimin e çdo paligjshmërie dhe garantimin e plotë të të drejtës për të protestuar paqësisht.

Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për prezencën e shtuar të kontrolleve policore në të gjitha akset rrugore dhe mjediset publike, si dhe për masat e shtuara të sigurisë në të gjithë vendin, me qëllim garantimin e jetës dhe shëndetit të qytetarëve, përfshirë qytetarët që do marrin pjesë në tubim.
Policia e Shtetit, është e vendosur në përmbushjen e misionit të saj për garantimin e rendit e të sigurisë publike, të lirive dhe të drejtave të qytetarëve, në respekt të plotë të ligjit, duke ofruar rend e siguri për të gjithë qytetarët e këtij vendi.”

PROTESTA E PARTISE DEMOKRATIKE, TE ENJTEN NE OREN 11:00

Partia Demokratike ka thirrur nesër, në orën 11:00 në sheshin “Skënderbej”, një protestë mbarëqytetare në Tiranë për të kërkuar dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit Ilir Metës, pas akuzave që i drejtoi atij ish-deputeti i mazhorancës Tom Doshi për atentate të porositura ndaj dy deputetëve.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb