TIRANE- Të gjithë drejtuesit e mjeteve, që kanë në përdorim mjete me ngjyrë të verdhë, ose me targa të bardha, që iu ka kaluar afati i licencës, dhe akoma kryejnë në mënyrë të kundërligjshme këtë shërbim, të marrin masa për të bërë ndryshimet karakteristike të mjetit, kthimin e tij në ngjyrën e regjistrimit të parë, dhe ndryshimin e targave të mjetit. Nëse shkelen këto rregulla, Policia Rrugore njofton se do të ketë penalitete.

Duke vlerësuar shqetësimet e ngritura nga Shoqata e Taksistëve ditët e fundit në lidhje me mjetet e palicencuara që operojnë në fushën e shërbimit taksi, Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë ka marrë masa për kontrollin dhe ndëshkimin e këtyre mjeteve që në mënyrë abuzive qarkullojnë me ngjyrë të verdhë dhe me targa të bardha duke konkurruar në mënyrë të paligjshme mjetet e licencuara konform rregullave të përcaktuara në Ligj.

Komisariati Rajonal i Policisë Rrugore, njofton se do të marrë masa administrative ndaj kundërvajtësve që konsistojnë në dënime me gjobë nga 10 000 deri në 40 000 lekë, dhe tërheqje të lejes së qarkullimit të mjetit, e cila do ti kalojë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Transportit Rrugor, e cila merr masa për azhornimin e saj sipas dispozitave që janë shkelur.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: