Policia spanjolle kapi dje pranë Grenades një ngarkesë rekord prej 26 tonë kanabis në sajë të informacioneve të policisë franceze që po monitoronte këtë kamion drejt Francës, bëri të ditur sot një burim pranë çështjes.

“Shtatë persona u arrestuan, pesë në Spanjë, dy në Francë dhe aktualisht ndodhen në paraburgim”, theksoi i njëjti burim, duke konfirmuar informacionin e policisë franceze.

Ky është një sekuestrim historik që përfaqëson më shumë se një të katërtën e sasisë së kanabisit të kapur nga të gjitha shërbimet franceze të kombinuara, në vitin 2020 (96,5 ton).

Droga u gjurmua nga oficerët e policisë franceze të Zyrës Anti-Narkotike (OFAST), si pjesë e një “dërgese të kontrolluar”, një teknikë policore e cila konsiston në lejimin e kalimit të drogës në kufi për të çmontuar më mirë rrjetet e rishitjes në Francë.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb