Policia zbarkon në Shkodër, ku ka ndërmarrë aksione për zbulimin e parcelave të drogës. Burime zyrtare bënë me dije se janë zhvilluar 2 operacione masive, të koduar “Vilu” dhe “Obot”, në kuadër të të cilëve u evidentuan dhe u goditën 2 raste të kultivimit të bimëve narkotike.

Gjatë operacioneve, janë shpallur në kërkim 2 autorët e dyshuar të këtyre veprimtarive kriminale, të cilët, për shkak të terrenit të pyllëzuar, kanë mundur të largohen nga vendet ku kultivonin bimët narkotike.

“Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë vijuar kontrollet e imtësishme të territorit, nga toka dhe nga ajri, duke përdorur edhe dronë.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Vilu”, në vendin e quajtur “Vilu”, Velipojë, në një sipërfaqe toke në terren të pyllëzuar, janë gjetur të kultivuara bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Në vijim të veprimeve hetimore u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, shtetasit R. P., 38 vjeç, banues në fshatin Pulaj-Plazh Velipojë, Shkodër, i cili u shpall në kërkim dhe punohet për kapjen e tij.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Obot”, në fshatin Obot, në vendin e quajtur “Zalli Bunës”, u gjetën të kultivuara bimë të dyshuara narkotike të llojit cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Në vijim të veprimeve hetimore u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, shtetasit H. Z., 55 vjeç, banues në fshatin Oblikë, Shkodër, i cili u shpall në kërkim dhe punohet për kapjen e tij.
Vijon puna puna për dokumentimin e plotë të këtyre 2 rasteve, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: