Zëvendëskrytari i LSI, Luan Rama, reagon ashpër pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama se “e gjithë politika e opozitës është një PPP me një “O” të madhe, me një “R”, të fortë, me një “DH” që vazhdon dhe një “Ë” në fund.

Teksa e nis reagimin e tij të gjatë me fjalën “Ndyrazi”, Luan Rama thekson se duhet t’i ofrojë një shembull kryeministrit, se si “bjerrja mendore mund ta çojë edhe atë në një bjerrje gjuhësore, ç’ka na jep kësisoj një shembull lajthitjeje linguistike, që është po kaq edhe lajthitje etike”.

Reagimi i Luan Ramës:

Pas shfaqjes publike të Kryeministrit:
NDYRAZI
Një shpjegim në vend të hyrjes.
Në gjuhën shqipe fjala NDYRAZI është ndajfolje, e ndër ndajfoljet, është ndajfolje mënyre, e cila më së shumti përdoret për të na treguar apo për të tipizuar dikë që flet me fjalë shumë të ndyra.
Ndaj, jo rastësisht e pa shkak më erdhi në mend kjo fjalë mes të tjerave që kanë të njejtën rrënjë, pra edhe të njejtën temë si fjalët ndyracak, ndyraman, ndyranak, ndyras etj, ndërsa po dëgjoja artikulimin mjerisht diarretik, në trajtën e miksimit të një onomatopeje me belbëzimën prej gojës së Kryeministrit të Shqipërisë gjatë një konference për shtyp, ku ai u shfaq mes dy ministrave të qeverisë së tij, për më tepër duke patur në krah një zonjë ministre.
Arsyeja se përse kam zgjedhur të shkruaj në këtë mënyrë, pra duke përdorur enkas disa terma të linguistikës që nuk përdoren në ligjerimin e përditshëm, më është imponuar prej përpjekjes për të qenë i kujdesshëm në raport me lexuesin, të cilit më duhet t’i ofroj një shembull se si bjerrja mendore mund ta çojë edhe Kryeministrin në një bjerrje gjuhësore, ç’ka na jep kësisoj një shembull lajthitjeje linguistike, që është po kaq edhe lajthitje etike.

E mira e komunikimit me lexuesin e do që për të evidentuar problemin, të përdor fjalë për fjalë e saktësisht fjalinë që përdori vetë Kryeministri. Por, unë në respekt të lexuesit, në respekt të kodit etik të komunikimit, por edhe në respekt të gjuhës, asnjëherë nuk ia kam lejuar vetes të përdor në shkrimet apo në ligjërimin a komunikimin tim publik e mediatik, fjalë banale apo ato që qysh në femijërinë e hershme prindërit apo më të medhenjtë na i përcaktonin si fjalë turpi.
Mirëpo, mjerisht për Kryeministrin e Shqipërisë nuk ka as norma etike, as respekt për lexuesit apo për shikuesit, as respekt për gjuhën, e madje, as respekt për veten më e pakta. Për të nuk ka barriera për fjalët e turpit dhe i derdh ato publikisht e përmes ekraneve të televizioneve, pa asnje drojë a thua se përballë shqiptarëve nuk është duke folur Kryeministri i vendit të tyre, por ndonjë horr mejhanesh që ka humbur drejpeshimin dhe e zgjidh gjuhen nën efektin e stimulantëve psikotropë e narkotikë.

Fakti
Kryeministri i Shqipërisë u shfaq para gazetarëve në mënyrën që shfaqet zakonisht prej shumë kohësh; nervoz, i shpërqëndruar, i paduruar dhe i pa edukuar.
Po, po, u shfaq edhe i pa edukuar!
Sepse foli ndyrazi. Përdori publikisht fjalë të ndyra, fjalë që një njeri normal nuk mund dhe nuk duhet t’i përdorë publikisht askund dhe asnjëherë, edhe pse në rastin e Kryeministrit permasa e të ndyrës nuk ka mbetur vetëm tek fjalët që përdor.
I paaftë për të mbuluar dështimin skandaloz në gjithë dimensionet e qeverisjes së tij, ai edhe dje u dëshmoi shqiptarëve se çfarë mëkati kanë bërë duke e duruar kaq gjatë në krye të qeverisë dhe se përse duhet ta shporrin nga qeverisja ate e bashkë me të edhe qeverinë e tij.
Për ketë arsye, 25 prilli i vitit 2021 për Shqipërinë nuk është thjeshtë dita kur do të mbahen zgjedhjet e përgjithëshme parlamentare për të realizuar procesin normal demokratik të rrotacionit të pushtetit, por është edhe dita kur duhet të marrë fund pushteti i të keqes, qeverisja e krimit dhe e korrupsionit dhe gjuha e ndyrë urrejtjes, e përçmimit dhe e bullizmit e atyre që flasin ndyrazi e që na shfaqen ditë e natë si njerëz ndyranakë.

Çlirimi i gazrave tek njeriu apo edhe tek kafshët është një proces fiziologjik, i natyrshëm.
Në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe jepet ky shpjegim për to: gaz i barkut me erë të keqe, që i del njeriut a kafshës me zhurmë nga poshtë.
Ndërkaq sipas mjekut, çdo njeri ka gazra dhe i eliminon ato duke gromësirë ose nëpërmjet rektumit, që në të folmen e përditshme njihet si zorra e trashë.
Mirëpo, ndryshe prej kafshëve, njeriu i vetëdijshëm nuk i nxjerr apo nuk i lëshon ato vend e pavend, sepse përndryshe ku do ta veçonte veten prej kafshëve.
Kryeministri i Shqipërisë i çliroi gazrat para gazetarēve duke përdorur gojën dhe jo rektumin për nxjerrjen e tyre, dhe përdori ekranet e televizioneve për të na u shfaqur ndyrazi, si ndyracak, si ndyraman apo si ndyranak.
Unë po të isha në vend të kolegëve gazetarë, në çastin kur kryeministri nuk po artikulonte por por gazëronte, do ta kisha braktisur konferencën e tij të shtypit, për ta lënë atë ashtu siç ështe dhe siç e meriton, si një ndyranak.

Shënim:
Me ndjesë për lexuesit që m’u desh t’iu marr kohë duke i ftuar të lexojnë këto rradhë që m’u imponuar prej një ndyranaku që flet ndyrazi, po jua jap mundësinë që përmes videos së postuar bashkë me këtë shkrim dhe që e kam marrë nga televizioni i tij, ta shikoni dhe ta dëgjoni me figurë dhe me zë Kryeministrin e Shqipërisë, teksa shfaqet duke folur ndyrazi si një ndyranak.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: