Prej fillimit të muajit janar të këtij viti fabrikat e birrës kanë ndalur prodhimin.

Shkak i fikjes së fabrikave të prodhimit vendas është shtimi në treg i birrës së importit me çmim më të ulët se markat vendase.

Pavarësisht periodicitetit të konsumit të birrës, Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve Vendas së Birrës Stefan Pinguli tha për “Monitor” se është hera e parë që prodhuesit në të gjithë vendin fikin prodhimin.

Sipas tij kjo ka ardhur për shkak të mungesës së tregut të shitjes, ku pesha e birrës së importit me çmim më të lirë se vendasit po rritet çdo ditë, ashtu siç u lajmërua nga prodhuesit para hyrjes në fuqi të ligjit të ndryshuar të akcizës. Pinguli nënvizon se këto janë efektet e ndryshimit të ligjit për akcizën dhe fabrikat do të qëndrojnë të mbyllura për muajt janar-shkurt.

Për shkak të rritjes së akcizës fabrikat prodhuan për magazinim deri në muajin dhjetor të 2022, ndërsa nga janari u detyruan të mbyllin prodhimin për shkak të shtrenjtimit të prodhimit nga rritja e akcizës, energjia dhe lëndët e para.

“Prodhuesit shqiptarë nuk kanë ku ta shesin produktin e tyre. Tregu vendas po mbytet nga birrat italiane dhe markave të tjera që po shiten me çmim më të lirë, ndërsa vendasit janë të detyruar të rrisin çmimet 20 lekë për litër, pasi akciza nga 1 janari 2023 u rrit 18 lekë për litër. Edhe para ndryshimeve të akcizës pesha e birrës së importit në treg ishte 55%, ndërsa nga fillimi i këtij viti është rritur duke shkuar në 70 deri 80%.

Fabrikat do të vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura për muajt janar-shkurt, ndërsa do të shqyrtohet më tej situata edhe për muajt e tjerë. Me mungesën e shitjeve, prodhuesit nuk arrijnë të përballojnë vetëm koston e energjisë për vënien në punë të fabrikave, jo më pagesat për akcizën e rritur, furnizimet me lëndë të parë që vijojnë të shtrenjtohen dhe rrogat. Shumë fabrika kanë nisur shkurtimin e punonjësve”.

Ndryshimet në ligjin për akcizat që unifikojnë akcizën në 710 lekë për Hl të prodhuesve nën dhe mbi 200,000 Hl në vit nisën zbatimin nga 1 janari 2023. Me ligjin e mëparshëm aktual akciza e birrës të bërë nga malto, si nga prodhues vendas e të huaj është e ndarë në dy fasha. Akciza për prodhuesit me sasi më të vogël se 200,000 HL në vit është 360 lekë/HL. Ndërsa akciza për prodhues vendas e të huaj me sasi më të madhe se 200, 000 HL në vit është 710 lekë/Hl.

“Vendosja e fashës së birrës i mbronte prodhuesit vendas nga birrat e importit. Më hyrjen në fuqi të ndryshimeve fiskale prodhuesit shqiptarë janë shumë herë më të vegjël se importuesit, të cilët me sjelljet e tyre dumping po shtojnë peshën në treg. Konsumatori vendas është i prirur të konsumojë birrë të huaj, çmimi i ulët e favorizon akoma më shumë shitjen. Për shkak të kësaj situate birra shqiptare rrezikon të zhduket. Po shihet si mundësi shpëtimi e industrisë eksporti, por edhe për to po haset vështirësi, pasi kostot e shtrenjta të prodhimit e bëjnë të pakonkurrueshme birrën shqiptare në tregun e huaj ”, pohoi ai.

Sipas të dhënave të Doganave në 2021 pesha e importeve të birrës në konsum ishte 55%. Në 2021 importet u rritën 19% më shumë se 2020. Rritje në këtë periudhë shënoi edhe prodhimi me 7.5%.

Ndryshimet e akcizës u kundërshtuan fort nga prodhuesit vendas, por Ministria e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj pohoi më herët se heqja e fashës së akcizës është në përputhje me direktivën e BE-së, ndërsa niveli i ri i propozuar ishte 3-4 herë më i ulët se vendet e BE-së.

Pinguli tha se së shpejti shoqata e prodhuesve të birrës ndryshimet në ligjin e akcizës do t’i dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb