Nga: AHMET SHQARRI*Fat që shohim këto lojërat e magjishme të Messit të Barcelonës në futboll, se ndryshe ç’do gjë do t’na dukej më e zezë nga ç’është!Ky pohim mund të mos jetë shumë bindës e të mos tingëllojë për të gjithë njësoj, por duke e ditur se sporti dhe veçanërisht futbolli janë një mjet i vërtetë argëtues për secilin në këtë botë, mendoj se jo gjithmonë kjo fushë tek ne po e kryen siç duhet rolin e saj, sa për nivelin e dobët të paraqitur në të, aq edhe për faktin se politika, keqbërëse kudo, edhe këtu po i fut hundët më tepër se ç’duhet. Spektatorët e shumtë në ndeshjen e fundit derby mes Partizanit dhe Tiranës ishin një dekor i bukur në pamje të parë, por që nuk mundi t’i shpëtojë shëmtisë dhe neverisë që shfaqi, kur fusha e lojës u mbush me fishekzjarrë e flakadanë, si dhe objekte të tjera të rrezikshme të hedhura prej tyre. Edhe më e papranueshme bëhej pamja nga tribunat në atë mbrëmje në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, kur shihje ato parulla e pankarta të mbushura me fjalë fyese e urrejtje për njeri-tjetrin, sikur prania e tifozëve në fushë të ishte për një luftë me viktima dhe jo për një argëtim të zakonshëm e gjithëpërfshirës, siç ngjet nëpër ndeshjet e shumta të botës së qytetëruar. Ndodh, megjithatë, edhe në ndonjë vend tjetër, veçanërisht në gadishullin tonë problematik, që shfaqje të tilla, pa asnjë lidhje me atë mision që në të vërtetë ka sporti, të shfaqen e të sjellin anomali.

Por, të shfaqesh në një stadium tonin me parulla të tilla të turpshme, njërën prej të cilave më duhet ta përmend vetëm për hir të realitetit të dhimbshëm që përjetojmë, si ajo që kamerat televizive më kot u rrekën ta censuronin, por që në fakt kushdo e pa të shpalosur në një prej tribunave të stadiumit: “Partizan-Beograd, këtu e ke kopilin tat”,( një aludim i pështirë ndaj njërit prej ekipeve më të shquar dhe më me histori suksesi në futbollin e këtij vendi, që edhe admiruesit e tij i ka më të shumtë se kudo tjetër), kjo me të vërtetë i tejkalonte të gjitha masat e parashikimet që një mendje djallëzore mund të pjellë në kësi rastesh! Ishim ne që me shumë të drejtë i përbuzëm ato skena vandalësh që ndodhën ndaj Kombëtares sonë në Serbi dhe që tani pritet të jap efektin bumerang ndaj tyre, ndërkohë që në shumë raste bëjmë gati të njëjtat gabime, si ai në ndeshjen e së hënës që shkoi, apo edhe ai i një jave më parë, siç e kam përmendur, kur edhe në stadiumin e Kukësit, politika u tregua fut’hundëse nëpërmjet një parulle për UÇK-n, a thua se edhe në këtë rast, të pranishmit i kishin mbushur tribunat jo për t’u argëtuar, por për të dhënë kushtrime lufte! Atmosfera e ndezur politike, e ashpërsuar sidomos në këto ditë të fushatës për zgjedhjet vendore, duket se e ka të pamundur që të mos e hedhë tisin e saj edhe mbi fushat tona sportive, ç’ka duket në një farë mënyre edhe me këto shembuj që u përmendën më sipër, ndërkohë që thelbi i gjithçkaje duket më mirë nga ajo çfarë flitet e premtohet për të ardhmen e saj.

E keni vënë re besoj se si deklarohet plot bujë që, në këto 18 muaj të qeverisjes së “re”, përparimi në sport na qenka më i madh nga ç’është arritur në gjithë ato 20 vjet të kaluara nëpër qeverisjet e tjera!? Kur dihet fare mirë se asgjë nuk është bërë, veç atij rikonstruksioni me vlerë pre rreth 6 milionë eurosh të stadiumit në Elbasan, i ndërtuar që nga koha e diktaturës dhe që në fakt na u paraqit si diçka krejtësisht e re. Ende nuk kemi parë ndonjë përkujdesje për sportistët tanë, veç disa pritjeve pompoze që u është bërë ca peshëngritësve a ndonjë ekipi tjetër prej disa qeveritarëve tanë më të lartë në aeroportin e Rinasit, madje ndonjëherë edhe në mes të natës, në mënyrë që të fitohej sa më tepër kredibilitet për forcimin e pushtetit të tyre reklamues. Siç bënë edhe vitin që shkoi në Vlorë kur me këta “kampionë” ngritën flamurin në festën e Pavarësisë. Apo, siç patën bërë edhe qeveritarët e mëparshëm, të cilët gjithashtu na mbushën me lloqe e premtime boshe si ato për ndërtimin në Tiranë të një stadiumi madhështor e krejtësisht të ri, që do të ishte nga më të bukurit në Europë e që sipas tyre do të ishte i gatshëm në përvjetorin e 100-të të shpalljes së Pavarësisë së vendit!!! Ojet, siç thonë shkodranët, kur duan të tallen me diçka që nuk shkon dhe me ata që kërkojnë t’ua hedhin. Pra, ku është ai stadium? Apo tani duhet të presim rikonstruksionin e stadiumit “Loro Boriçi”(po me të njëjtin ndërtues e pa asnjë tender si ai i Elbasanit), për t’ia nisur pastaj, siç tha kryeministri aktual, me “Qemal Stafën”, e më tej me të tjera sajime të këtij lloji për Shqipërinë që, “lumë kush të rronjë, që ta shohë zonjë”, siç patën thënë dikur rilindësit tanë!…

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: