TIRANE- Banka e Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 2 %, ndërsa vlerëson si pozitive rritjen ekonomike në vend. Në një deklaratë për mediat lidhur me politikën monetare të BSh për gjashtëmujorin e parë të 2015, Guvernatori Gent Sejko është shprehur se rritja ekonomike për këtë vit është më e lartë se më parë.

Sa i tregon luhatjeve në disa tregues të ekonomisë, Sejko tha se është situatë kalimtare.

Guvernatori i BSh tha se portofoli i kredive të këqija gjatë 6-mujorit të parë të 2015 u ul me 2%, duke u shprehur se ky institucion ka ulur normat e interesit për kreditë.

Duke u shprehur se ka nevojë për përshpejtim të reformave strukturore, sejko tha se ndërkaq po monitorohet me kujdes situatën në Greqi.

FJALA E PLOTE E GUVERNATORIT TE BSH
Në mbledhjen e ditës së sotme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, mori në shqyrtim raportin tremujor të politikës monetare. Informacioni i ri i përftuar është përgjithësisht në linjë me parashikimet tona. Shmangiet nga këto parashikime dhe luhatjet që kanë pësuar disa tregues ekonomikë e financiarë, gjatë këtij tremujori, vlerësohet të jenë kalimtare.

Gjykimi ynë mbi dinamikën e inflacionit dhe të rritjes ekonomike në afat të mesëm nuk ka ndryshuar. Në përputhje me këto parashikime, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se niveli aktual i normës bazë të interesit është i përshtatshëm për përmbushjen e objektivit të stabilitetit të çmimeve. Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi ta mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.0%.

Në vijim do të ndalem në analizat dhe konkluzionet që motivuan këtë vendimmarrje.

* Inflacioni parashikohet të rritet gradualisht drejt objektivit gjatë dy viteve të ardhshme.

Inflacioni mesatar vjetor i tremujorit të dytë rezultoi në nivelin 1.8%. Luhatjet e inflacionit gjatë gjashtë muajve të parë të vitit kanë reflektuar ecurinë e çmimeve të ushqimeve të papërpunuara. Këto të fundit kanë pasur luhatje të larta në periudhën shkurt – prill të këtij viti, edhe për shkak të përmbytjeve në disa nga zonat e ulëta të vendit.

Nga këndvështrimi makroekonomik, rritja e ngadaltë e çmimeve pasqyron efektin e një kërkese të dobët agregate si dhe çmimet relativisht të ulëta në tregjet botërore. Ndikimi i këtyre faktorëve do të vazhdojë të jetë i pranishëm në horizontin afatshkurtër. Inflacioni mesatar i vitit 2015 pritet të luhatet rreth nivelit 2%. Parashikimet e Bankës së Shqipërisë sugjerojnë se inflacioni do të vazhdojë të rritet më tej gjatë dy viteve të ardhshme dhe të kthehet në mënyrë të qëndrueshme në objektivin tonë prej 3%, rreth fundit të vitit 2017.

* Kthimi i inflacionit në objektiv do të mbështetet nga një gjallërim gradual i ekonomisë në vitet në vijim.

Në masën më të madhe, parashikimi mbi ecurinë e inflacionit në dy vitet në vijim mbështetet në projeksionet tona për një rritje progresive të ekonomisë dhe për një shfrytëzim më të plotë të kapaciteteve prodhuese gjatë viteve të ardhshme.

Të dhënat më të fundit ekonomike janë në linjë me vlerësimet e mësipërme. Rritja ekonomike e vitit 2015 pritet të jetë më e lartë se ajo e një viti më parë. Sipas të dhënave të Instat-it, tremujori i parë shënoi një rritje vjetore të aktivitetit ekonomik prej 2.8%. Kjo normë ishte më e lartë se pritjet tona dhe pasqyron kryesisht rritjen e investimeve dhe të eksporteve neto. Të dhënat indirekte të disponuara, sugjerojnë për norma të ngjashme rritjeje edhe gjatë tremujorit të dytë.

Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se gjysma e dytë e vitit mund të shënojë ritme më të ngadalta rritjeje, si pasojë e ndikimit të mundshëm negativ të ngjarjeve në Greqi. Megjithatë, marrëveshja e arritur në muajin korrik 2015, është pikënisje për normalizimin e situatës në vendin fqinj.

Për rrjedhim, efektet më të mundshme në Shqipëri do të përqendrohen në rënien e përkohshme të aktivitetit tregtar dhe të remitancave, pa cënuar aktivitetin e sistemit financiar. Si të tilla, këto efekte pritet të jenë kalimtare.

Nga këndvështrimi i politikës monetare, rëndësi të veçantë kanë projeksionet për rritjen ekonomike dhe inflacionin në një periudhë afatmesme. Ekonomia shqiptare parashikohet të ketë ritme më të larta rritjeje në dy vitet e ardhshme. Bilancet e sektorit bankar dhe privat, ambienti i jashtëm ekonomik dhe klima e përgjithshme e biznesit, pritet të përmirësohen në këtë periudhë. Këto zhvillime do të mbështesin zgjerimin e kërkesës së brendshme dhe të jashtme.

* Rritja ekonomike do të mbështetet edhe nga kushte të favorshme financimi.

Për një periudhë relativisht të gjatë kohe, kahu i politikës monetare ka qenë lehtësues. Ulja e vazhdueshme e normës bazë të interesit, përcjellja në publik e angazhimeve të Bankës së Shqipërisë për të qëndruar në këtë territor edhe në të ardhmen, reduktimi i pritur i primeve të rrezikut, si dhe përmirësimi i bilanceve dhe treguesve të shëndetit financiar të sistemit bankar, janë premisa për një lehtësim të mëtejshëm të kushteve të financimit të ekonomisë.

Tregjet financiare shqiptare vazhdojnë të karakterizohen nga një situatë e mirë likuiditeti. Normat e interesit të kredisë për ekonominë dhe normat e interesit të letrave me vlerë të qeverisë janë pranë minimumeve historike. Në përgjigje të tyre, kreditimi në lekë ka shënuar rritje ndërsa kostot e shërbimit të borxhit të sektorit privat dhe publik kanë shënuar rënie.

Zhvillimet e kreditimit shfaqen më pozitive në tremujorin e dytë. Kështu, kredia për sektorin rezident privat shënoi një rritje vjetore prej 2.4% në muajin maj, një normë rritjeje kjo më e lartë se ajo e regjistruar në fund të tremujorit të parë. Rritja e kredisë është mbështetur nga rritja vjetore me 7.5% e kredisë në lekë, ndërkohë që portofoli i kredisë në valutë ka rënë me 0.7%. Në aspektin sektorial, kreditimi i individëve vazhdon të shënojë norma më të larta rritjeje se kreditimi i bizneseve.

Banka e Shqipërisë pret një përmirësim gradual të kreditimit në pjesën e mbetur të vitit, por një përmirësim progresiv të tij në dy vitet e ardhshme. Ky përmirësim do të mbështetet nga rritja e kërkesës, nga normat e ulëta të interesit dhe nga reduktimi i rrezikut të perceptuar në tregjet e brendshme dhe të huaja financiare. Në veçanti, ulja e pritur e kërkesës së qeverisë për financim në tregun e brendshëm do të krijojë më shumë hapësira për rritjen e kreditimit të sektorit privat.

* Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës konstaton se suksesi i planit të masave për reduktimin e kredive me probleme do të rrisë gatishmërinë e bankave në kredidhënie.

Portofoli i kredive me probleme u reduktua me rreth 2 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë, kryesisht në përgjigje të masave rregullatore që mori Banka e Shqipërisë në fillim të këtij viti. Ky është një sinjal inkurajues në drejtim të pastrimit të bilancit të sistemit bankar. Megjithatë, sipas planit ndërinstitucional të aprovuar të masave, ai duhet të mbështetet nga përmirësime ligjore dhe nënligjore, të cilat parandalojnë rritjen e kredive me probleme dhe mundësojnë një zgjidhje të shpejtë të tyre. Në këtë kontekst, Banka e Shqipërisë sjell në vëmendje të të gjitha agjencive publike të përfshira në këtë projekt, nevojën për zbatimin e shpejtë dhe me rigorozitet të angazhimeve tona të përbashkëta.

* Përmbushja e objektivave të Bankës së Shqipërisë do të kërkojë ruajtjen e kahut lehtësues të politikës monetare edhe për disa tremujorë në vazhdim.

Ruajtja e stimulit monetar është konsistent me pritjet për një politikë fiskale konsoliduese gjatë kësaj periudhe. Sikurse e kemi thënë dhe më parë, konsolidimi fiskal redukton primet e rrezikut të vendit dhe lehtëson transmetimin e politikës monetare në tregjet financiare.

Duke u nisur nga informacioni i disponuar, si dhe në bazë të vlerësimeve e parashikimeve tona, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se nivelet aktuale të stimulit monetar do të ruhen të paktën edhe përgjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2016. Nga ana tjetër, balanca e rreziqeve mbetet e zhvendosur në kahun e poshtëm. Banka e Shqipërisë po monitoron me kujdes situatën në Greqi dhe ndikimin e saj në ekonominë shqiptare.

Në rast se zhvillimi i ngjarjeve do të japë një ndikim negativ të fortë e të zgjatur në kohë mbi ekonominë shqiptare, Banka e Shqipërisë disponon instrumentet e duhura dhe mbetet e gatshme të marrë masa shtesë për përmbushjen e objektivave të saj.

Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës rithekson edhe një herë nevojën për vazhdimin dhe përshpejtimin e reformave strukturore. Ndër të tjera, këto reforma duhet të synojnë përmirësimin e qëndrueshëm të klimës së biznesit, rritjen e produktivitetit dhe të konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare, nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja, si dhe rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike e financiare të vendit.


(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb