Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerëson se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm në mbështetjen e aktivitetit ekonomik të vendit, ndaj vendosi sot të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, për lekun në nivelin 0.5%.

Zëvendësguvernatoria e Parë të Bankës së Shqipërisë Luljeta Minxhozi, u shpreh të mërkurën në konferencën për mediet se gjithashtu mbeten të pandryshuar normat e interesit të depozitave dhe kredive njëditore, respektivisht në 0.1% dhe 0.9%.

“Politika monetare do të vijojë të mbetet lehtësuese gjatë gjithë horizontit të parashikimit”- tha ajo, ndërsa evidentoi se, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se balanca e rreziqeve vijon të mbetet në kahun e poshtëm.

Në veçanti, tha Minxhozi, rreziqe të kahut të poshtëm burojnë nga zgjatja e theksuar në kohë e pandemisë dhe riprezantimi i masave të distancimit social për kontrollin e saj; Lindja e problemeve në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, në formën e rritjes së normave të interesit dhe kostove të financimit të sektorit privat, në formën e përkeqësimit të ofertës së kredisë bankare, apo në formën e luhatjeve të forta të treguesve të tjerë të tregut financiar.

“Këshilli Mbikëqyrës vëren se materializimi i këtyre rreziqeve do të kërkonte lehtësimin e mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare”, deklaroi ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb