TIRANE – Pas shembjes së Kishës së Shën Thanasit në Dhërmi, kanë ardhur erdhe reagimet nga politika shqiptare. I pari ishte kreu i PD-së, Lulzim Basha i cili ka dënuar shembjen e kishës në Dhërmi, duke e cilësuar si një akt barbar dhe armiqësor të kryeministrit Rama.

Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama e quan të pabesueshëm reagimin e PD-së. Kryeministri Edi Rama është prononcuar sot për të disatën herë për çështjen e Kishës së Shën Thanasit në Dhërmi. Në faqen e tij të Facebook, Rama duke i kthyer përgjigje akuzave të liderit të PD-së, Lulzim Basha shkruan se PD u jep shqiptarëve përditë ushqim të pacertifikuar. Rama e quan sërish kishën e Shën Thanasit, të ndërtuar jo nga Kisha ortodokse por nga brutaliteti individual.

“Është e pabesueshme edhe për mua që ka kohë që nuk çuditem nga ushqimi i pacertifikuar që Partia Demokratike u jep përditë shqiptarëve, njësoj si ato thertoret e kthesës së Kamzës të cilat shisnin mish të therur në kohë reale mes baltës e gjakut. Është e pabesueshme që Partia Demokratike, në injorancë të plotë të historisë, aktualitetit dhe të nesërmes së projektuar të kishës së vjetër të Dhërmiut, t’i bashkohet një kujeje të pabesueshme të kujt u vu në mbrojtje të ngrehinës skandaloze të së ashtuquajtur kishë; një ngrehinë e ndërtuar jo nga kisha, po nga brutaliteti individual i viteve ’90 mbi një monument kulture, të cilën në asnjë lloj konkursi për ta gjetur se çfarë është, nuk do të dilte dot njeri në botë që të thoshte është kishë”, shkruan Rama.

Sipas tij, është e pabesueshme që Partia Demokratike, për të sharë medoemos qeverinë, t’i bashkohet një përçapjeje dhe një përçartjeje që nuk ka asnjë lidhje me raportet e shtetit me fenë; nuk ka asnjë lidhje me marrëdhëniet e qeverisë me kishën e me klerin ortodoks; nuk ka asnjë lidhje me fqinjin jugor jo e jo. Duke iu referuar Greqisë, Rama thotë se shteti fqinj duhet të vetëdijesohet se asnjë çështje apo problem i Kishës Autoqefale Shqiptare apo i ortodoksëve shqiptarë nuk ka asnjë lidhje me shtetin fqinj.

“Ortodoksët shqiptarë janë qytetarë shqiptarë që kanë shtetin e tyre dhe hapësira e ushtrimit të besimit të tyre nuk është protektorat i asnjë shteti tjetër. Ashtu sikundër Kisha Autoqefale Shqiptare, çdo problem që ka pasur, ka apo do të ketë me shtetin, e ka trajtuar, e trajton apo do ta trajtojë me shtetin shqiptar e me institucionet e tij. Prandaj, çdo ndërhyrje në këtë mes, është ndërhyrje e papranueshme në punët e brendshme të Shqipërisë”, thekson Rama.

Kryeministri sqaron Bashkia e Himarës do të rindërtojë aty shëmbëlltyrën e kishës së vjetër të Dhërmiut dhe meriton vetëm përgëzime në synimin e vet, për ta bërë atë truall përçues të jehonës së një kohe e historie të shkuar që brezat po edhe vizitorët meritojnë ta përjetojnë.

BASHA: SHEMBJA ME FORCË E OBJEKTIT TË KULTIT ËSHTË E PAPRANUESHME
Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, kreu i opozitës, Lulzim Basha thekson se “zgjidhja e pretendimeve duhej të vinte vetëm përmes bisedimit, përmes dëgjimit të banorëve dhe angazhimit bashkë me ta për të marrë hapat e duhur”.

“Në emër të Partisë Demokratike dënoj ashpërsisht dhunën e Edi Ramës ndaj objektit të kultit në Dhërmi. Në errësirë, pa transparencë, pabesisht, Edi Rama shembi me forcën e INUK atë që konsiderohet nga komuniteti i Dhërmiut si objekt kulti. Zgjidhja e pretendimeve duhej të vinte vetëm përmes bisedimit, përmes dëgjimit të banorëve dhe angazhimit bashke me ta për të marrë hapat e duhur me respekt te plote ndaj vlerave dhe të vërtetave historike por edhe ndjeshmërive reale te banoreve dhe besimtareve te Dhermiut e të gjithë Shqipërisë. Shembja me forcë e objektit të kultit është e papranueshme dhe sidomos në shoqërinë tonë kur plagë të tilla janë ende të freskëta në ndërgjegjen e besimtarëve. Dua të theksoj se kjo është një çështje e Shqipërisë dhe e qytetareve shqiptarëve, e komunitetit dhe e banorëve të Dhërmiut dhe e askujt tjetër. Por kjo kërkonte një rrugë vetëm paqësore, një zgjidhje si rezultat i bisedimit dhe jo i dhunës. Shembja me INUK e kishës është një akt armiqësor i Edi Ramës, një shprehje e arrogancës e mënyrës së tij të qeverisjes që nuk merr në konsideratë qytetarët, nuk dëgjon zërin e tyre.”- thekon Basha.

Sipas kreut të opozitës, “jo shumë larg nga aty Koço Kokedhima, deputeti i tij i privilegjuar, ka dëmtuar pasurinë kombëtare, bregdetin e të gjithë shqiptarëve me një ndërtim që ka shkelur 10 ligje e dy plane urbanistike, por ato saraje nuk prishen. Sepse në fakt, këto saraje, simbole të korrupsionit, abuzimit dhe të përfitimit nga pushteti, janë kulti i Edi Ramës, janë i vetmi besim i tij. Kjo është një ngjarje e rëndë që i kujton edhe një herë shqiptarëve se sa barrë e rëndë është bërë Edi Rama dhe qeveria e tij, që prish, shemb e shkatërron, dhe nuk sjell zhvillim, nuk ndërton, nuk punon për aspiratat e qytetarëve”.

Kreu i PD-së i bën thirrje “të gjitha forcave politike, përfaqësuesve të të gjitha besimeve në Shqipëri, personaliteteve të kulturës, shkencës, artit, medias dhe shoqërisë civile të bashkohen në dënimin e këtij akti të shëmtuar dhe barbar”.

Kisha e Shën Athanasit në Dhërmi, objekt debati mes krerëve të Kishës Orthodokse dhe Qeverisë Shqiptare, është shembur mëngjesin e sotëm nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Vendor. Lajmi është bërë me dije nga vetë zëdhënësi i Kishës, i cili tha se prishja është bërë rreth orës 4:00 të mëngjesit me qëllim mënjanimin e konfliktit me banorët e zonës.

“Shteti e prishi Kishëzën e Shën Athanasit, rreth orës 4 të mëngjesit. Ky është respekti fals dhe hipokrizia e pushtetarëve që u implikuan në këtë prishje! Tashmë pritet prej ideuesve dhe ekzekutuesve justifikimi dhe përparimi i mëtejshëm “ligjor” e “kulturor” ndaj pronës së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”, – shkruhet në deklaratën e zëdhënësit të Kishës Orthodokse, Thoma Dhima.

PRISHJA E KISHËS, REAGON DULE: KOMUNITETI NDËRKOMBËTAR TË NDËRHYJË
Në një deklaratë për mediat PBDNJ shprehet e indinjuar, duke e quajtur prishjen e Kishës, vandalizëm qeveritar, që sipas saj dëshmon se kushtetueshmëria po i lë vend përditë e më shumë arbitraritetit e arrogancës.

PBDNJ deklaron se qeveria që dështoi me ndërtimin e shkollave dhe spitaleve po shkatërron objektet e kultit dhe dhunon jetën shpirtërore.

Reagimi i kësaj force politike, shkon më tej duke e akuzuar kryeministrin Rama se bashkë me deputetin Koço Kokëdhima kanë interesa klienteliste.

PBDNJ kërkon ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar për të vënë në mbrojtje vlerat tona shpirtërore nën kërcënim dhe garantuar respektimin e lirisë së besimit në veçanti dhe të drejtat e njeriut dhe minoriteteve.

DEKLARATA E PLOTË
Vandalizmi qeveritar në Shën Athanas, Dhërmi, është dëshmia e radhës dhe më domethënëse se në vendin tonë Kushtetutshmëria, shteti i së drejtës, dimensioni human dhe liria e besimit po i lënë vendin përditë edhe më tepër arbitraritetit, arrogancës, dhunës dhe hipokrizisë.

E kapur nga interesa klienteliste, qeveria që dështoi të ndërtojë për qytetarët shkolla dhe spitale, po i shkatërron atij objektet e kultit dhe i dhunon jetën shpirtërore.

Asnjë “patriotizëm” nuk mund të bëhet strehë për qëllimet grabitëse, tashmë të njohura botërisht, të Z. Kokëdhima me mbështetjen e Kryeministrit Rama ndaj pronave të Bregut.

Në këto kushte bëhet imediate nevoja e ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar për të vënë në mbrojtje vlerat tona shpirtërore nën kërcënim dhe garantuar respektimin e lirisë së besimit në veçanti dhe të drejtat e njeriut dhe minoriteteve në përgjithësi.

Nën hijen e këtyre zhvillimeve, ku do ta gjejë vallë hipokrizinë proverbiale që do ti duhet sot Kryeministrit Rama për të parë në sy Kancelarët Merkel dhe Freyman si edhe kolegët ballkano-perendimorë në samitin e Vjenës?!

Po popullit shqiptar si do ti shpjegohet që po ia bën përditë edhe më të largët arritjen e ëndrrës europiane?

PARTIA MEGA: PRISHJA E KISHËS, AKTI I SHËMTUAR, ORGANET SHTETËRORE TË TREGOJNË MATURI
Partia MEGA e ka cilësuar akt të shëmtuar prishjen gjatë orëve të vona të natës të kishës shumëvjeçare të Shën Thanasit në Dhërmi.

Sipas MEGA-s një akt i tillë na kthen shumë vite pas, në kohën e sistemit totalitar. Kryetar i kësaj partie, Kristaq Kiço në një deklaratë për mediat shprehet se çështje të tilla duhet të zgjidhen përmes dialogut. Ai i bën thirrje organeve shtetërore të tregojnë maturi në respekt të Kushtetutës dhe të drejtave të njeriut.

“Shprehim shqetësimin dhe indinjatën tonë për aktin e shëmtuar të prishjes gjatë orëve të vona të natës të kishës shumëvjeçare të Shën Thanasit në Dhërmi. Një akt i tillë na kthen  shumë vite pas, në kohën e sistemit totalitar. Besojmë se çështje të tilla të ndjeshme për komunitetin mund dhe duhet të zgjidhen nëpërmjet dialogut, mirëkuptimit dhe respektit për besimin fetar. Është gjithashtu shumë shqetësues fakti që vitet e fundit krijohen vazhdimisht, veçanërisht gjatë muajit gusht, incidente të tilla kundrejt komunitetit ortodoks, duke krijuar kështu një klimë aspak pozitive, kjo edhe me ndërhyrjen ose keqpërdorimin politik në çështje që mund të zgjidhen shumë mirë me mirëkuptim, diskutim dhe pa debate publike, pa cenuar vlerat unikale për popullin e këtij vendi, siç është bashkëjetesa harmonike fetare. Partia MEGA mbështet të drejtën e komunitetit të Dhërmiut në mbrojtje të simboleve fetare dhe u bën thirrje organeve shtetërore të tregojnë maturi në respekt të Kushtetutës dhe të drejtave të njeriut”, shprehet Kiço.
(er.nu/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: