TIRANE- Sot në mbrëmje mbarë vendi feston Krishtlindjet. Urimi i parë ka ardhur nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vijoi me kryeministrin Rama e më pas me Presidentin Bujar Nishani. Në pritje të Krishtlindjeve do të mbahet mesha në Katedralen “Shën Pali”, ndërsa festimet do të vijojnë edhe gjatë ditës së nesërme.

NISHANI: TË LEHTËSOJMË VUAJTJET, MUNDIMET E TË VETMUARVE
Me anë të një mesazhi të bërë publik, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjeve. Nishani deklaroi se mendimi e lutjet shkojnë për njerëzit në nevojë.

“Të dashur besimtarë të krishterë shqiptarë kudo ndodheni! Në këtë prag Krishtlindjesh, besimtarët e krishterë në Shqipëri dhe kudo në botë janë duke u përgatitur për të festuar mrekullinë e lindjes së Jezu Krishtit. Me rastin e Ditës së shenjtë të Krishtlindjes dëshiroj t’u shpreh të gjithëve urimet më të mira e më të përzemërta në këto çaste të lumtura! Dita simbol e lindjes së Krishtit rizgjon në zemrat e mbarë besimtarëve të krishterë ndjenjat e gëzimit e të shpresës për një të ardhme të ndritur, kur bashkojnë përpjekjet për të ngritur lart vlerat më sublime e më fisnike fetare dhe njerëzore.”, citohet në mesazhin e urimit të Nishanit.

Më tej në deklaratë theksohet: “Sonte urojmë familjarët, të afërmit, miqtë e të njohurit e krishterë ashtu siç kemi bërë prej shekujsh e në të njëjtën mënyrë që kemi trashëguar brez pas brezi si shqiptarë, duke kremtuar të gjithë së bashku festat e njëri-tjetrit në vazhdën e traditës sonë të vyer e të rrallë të harmonisë, tolerancës dhe bashkëjetesës fetare. Në këtë ditë të bekuar, mendimi dhe lutjet tona shkojnë për njerëzit më me pak fat e në nevojë, të cilëve më shumë se kushdo u duhet ngrohtësi dhe dhembshuri njerëzore. Le të përpiqemi t’ua lehtësojmë vuajtjet dhe mundimet të vetmuarve, të braktisurve, të pamundurve e të sëmurëve, për t’u dhënë shpresë dhe besim! Le të kujdesemi më tepër për njëri-tjetrin, duke qenë prindër, fëmijë, miq, fqinjë dhe qytetarë të mirë, duke mbështetur e zhvilluar komunitetin ku secili prej nesh jeton dhe punon.

Këtë vit nën shkëlqimin e dritave të Krishtlindjeve shohim me dhimbje errësirën e akteve terroriste që tronditën Evropën, luftërat që shkatërruan Sirinë e largët, klithmat e emigrantëve që humben jetën deteve dhe oqeaneve; dhe shpresojmë e lutemi që paqja dhe mirësia të mbizotërojë zemrat e njerëzve kudo që janë. Uroj që gjithë bota mbarë të bashkojë forcat, mendjet, shpirtrat e të bëjë përpjekje maksimale për të shpëtuar njerëzimin nga e keqja! E gabuara dhe e keqja le të dështojnë dhe e drejta të triumfojë! Gëzuar dhe për shumë vjet Krishtlindjet dhe jua uroj sa më të paqta e të mbara e në shëndet e harmoni të plotë të shpirtrave, zemrave dhe trupave!”.

RAMA URON BESIMTARËT PËR KRISHTLINDJEN
Kryeministri Edi Rama u ka uruar Krishtlindjen të gjithë besimtarë besimtarëve të krishterë përmes një mesazhi në rrjetin social “Facebook”. Urimin e tij, kreu i Qeverisë e ka shoqëruar me fotografinë e rrasës së gurit, ku ishte shtrirë Jezu Krishti përpara se të kryqëzohej.

“Kjo pamje e rrasës së gurit ku e shtrinë Jezu Krishtin e mbytur në gjak përpara se sa ta gozhdonin në kryq, shëmbëlltyrë e vuajtjeve njerëzore në rrugën e Ringjalljes, na flet të gjithëve në vigjiljen e kremtimit të Krishtlindjeve”, shkruan Rama, ndërsa u uron të gjithë Krishtlindjen.

rrasa e gurit

BASHA: JU UROJ GËZUAR TË GJITHË BESIMTARËVE TË KRISHTERË
Kryeopozitari Basha ka zgjedhur rrjetin social “Facebook”. “Nga zemra ju uroj të gjithë besimtarëve të krishterë Gëzuar Krishtlindjen!”, citohet në mesazhin e Bashës, të cilin e ka përcjell dhe me një kartolinë urimi.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: