Kreu i Grupit të PS Taulant Balla, në një intervistë për gazetaren Nisida Tufa  në ‘News24’,  foli për arrestimin e ish-deputetit socialist Alqi Bllako.

Gjatë intervistës Balla u shpreh se tashmë beson se Reforma në Drejtësi po jep rezultatet e saj, ndërsa ritheksoi se në asnjë moment PS nuk do të bëjë avokatin e askujt , avokatin ta marrin privatisht.

Ai gjithashtu ka treguar se për herë të fundit me ish-deputetin socialist ka komunikuar sapo ka mbërritur dosja, me të cilin edhe u njoh me çështjet.

“Ndjesia e parë është ajo njerëzore humane dhe nuk ia uroj askujt edhe kundërshtarëve që të jenë në pranga, por kjo është pjesa njerëzore dhe mbyllet këtu. por një pyetje që ma bëni shpesh ishte kur do të ketë politikanë pas prangave, ja pra që koha ka ardhur, nuk e di çfarë niveli më lart kërkoni ju , kur kemi ish-ministra e deputetë. Kemi dy ish-ministra sot…Mendoj që kemi ardhur në një moment kur Reforma në Drejtësi po jep rezultat, koha kur Prokurorja etiketohej me fjalët më të ndyra, i referohem fjalëve të Sali Berishës si kryeministër që i hakërrehej prokurores. Është me rëndësi të kuptojmë që PS ku mori vendimin për të çuar përpara Reformën në Drejtësi e mori me besimin se Shqipëria ka shumë nevojë për këtë reformë.”, tha Balla.

Pyetje: Si e njihni ju zotin Bllako dhe bashkëpunimi që keni pasur?

Balla: Bllako më shumë se 7 muaj në Kuvend mbetet një koleg shumë i mirë, njohës i mirë i çështjeve ekonomike. Por duhet të kuptoni që unë nuk dua të intereferoj aspak nëse hyjmë në detaje të çështjes. Bllako mori vendim për të hequr tërësisht mandatin, e ka bërë dhe Tahiri, por ky është rasti i parë që është bërë në mënyrë të menjëhershme, deputeti jo vetëm që heq imunitetin, por edhe mandatin. PS ka vendosur një standard, nuk do të bëjë avokatin askujt.

Pyetje: Kur keni komunikuar për herë të fundit për këtë çështje me Bllakon?

Balla: Kam komunikuar sapo ka ardhur dosja. Unë kam ndarë më herët se zoti Ballko ka thënë se kjo ishte betejë e tij personale dhe në fakt është procedura më e shpejtë që ka ndodhur menjëherë dhe është hera e parë që nuk është hequr vetëm imuniteti , por komplet mandate. Rasti në fjalë prezumimi i pafajësisë duhet të jetë deri në fund. Në rast se nuk do të kishte qenë PS në qeverisjen e vendin në këto 8 vite dhe gjithmonë them se kur prisnim rezultate për SPAK memet nuk pushonin dhe thonin kur do të veprojë SPAK,. Ja pra ku jemi…Rezultatet janë mbresëlënëse, kushdo që nuk ishte dakord me ne, sot është koha të thonë na falni se paskam gabuar.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb